Çfarë ndryshon historia shqiptare me dy zbulimet në Ulpianë? - NACIONALE

Çfarë ndryshon historia shqiptare me dy zbulimet në Ulpianë?

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

Puna pedante e arkeologëve në nëntokën e Ulpianës për dy vite radhazi ka dritësuar dy zbulime marrafrymëse. Në verën e 2023-s u zbulua një mozaik interesant brenda një bazilike të kahershme ku Justiniana Secunda mbiemërzohej si Urbem Dardaniae (Qytet i Dardanisë). Ndërkaq, zbulimi i sivjetmë vetëm sa i ka vënë kapakun kësaj çështje. Mbishkrimi ka saktësuar se bazilika në fjalë, me urdhrin dhe vullnetin e Justinianit të Madh (527–565), u përurua në vitin 545, një rast ky që u shënua edhe me emërimin e kryepeshkopit të quajtur Paul.

Por cilat janë nënkuptesat (implikimet) e këtyre dy zbulimeve në historinë e hershme mesjetare të Kosovës?

1. Zbulimi i mozaikut me mbishkrim dedikues në Ulpianë, ashtu si edhe i mbishkrimit të dytë që saktëson vitin e themelimit të bazilikës, janë të rëndësishëm më së shumti për arsyet për të cilat publiku fare nuk vramendet. Nga një anëpamje e thjeshtë e lozonjare e jetës, dedikimi i Justinanit dhe Theodorës, augustit dhe augustes, është ai moment i rrallë kur burrë e grua së paku u pajtuan për diçka. Dhe kjo u përjetësua në një mozaik në latinçe si një sintagmë e përkohshme “Burrë e grua, mish e thua”.

2. Kësokohe, pra në messhekullin e gjashtë, Perandoria Romake gëlonte prej plasaritjeve e fesateve brendakrishtere. Halli i augustëve në Kostandinopojë ishte polarizimi shqetësues mes monofizitëve në një anë, dhe ortodoksëve në anën tjetër. Të parët (Egjipti, Siria e Palestina) i mëshonin interpretimit teologjik që Krishti e ka vetëm një natyrë të brendashkruar; të dytët (Kostandinopija, Roma dhe i gjithë Perëndimi) që Krishti i ka dy natyra të shkartisura që bashkërrnojnë. Derisa Theodora ishte pro-monofizite, Justiniani eksperimentoi me anti-monofizitizmin në përpjekje për t’i bashkuar të dy pjesët e romanitetit. A thua vallë cili Krisht i bënte për vete banorët vendës të Dardanisë perandorake? Apo kjo ndërdyshje teologjike nuk kishte asfarë rëndësie për gjindjen?

3. Me prejardhje nga Taurisioni i Dardanisë jugore (sot fshati Tavor në juglindje të Shkupit), Justiniani sigurisht që ka qenë pjesë e asaj mikrobote perandorake që e fliste latinishten ballkanike, kurse në Kostandinopojë u familjarizua me greqishten. Ishte mu kjo kohë kur në Ballkanin qendror, në këtë urheimat, po lindte një gjuhë e re prej copëzash dialektore ilire: protoshqipja. Kanë qenë këto vite të zahmetshme se cila gjuhë do ta fitonte lavdinë e lingua franca-s në perandori. Sado që veprat shkruheshin në greqisht, latinishtja ende e impononte veten.

4. Mbase si tribut për prejardhjen e përvutë të axhës së vet, Justiniani është i pari dhe mbase i vetmi që Dardaninë postantike e bëri epiqendër investimesh perandorake. Me fjalët e historianit kryesor të Justinianit, Prokopit, vendlindje e Justinianit ishin viset e “dardanëve evropianë” (Δαρδάνοις Εὐρωπαίοις), të cilët jetonin përtej maleve të Epidamnit (δὴ μετὰ τοὺς Ἐπιδαμνίων ὅρους ᾤκηνται). Kjo pakashumë na jep një ide gjeografike se dardanët e shekullit të gjashtë, pra në kohën kur u ngrit bazilika në Ulpianë, ishin shtyrë me sa duket gjer në afërsi të Durrësit. Duke e theksuar kaq fort një rremb lokal të hapësirës perandorake, siç ishte Dardania, Prokopi me veprën e tij u rrek që ta rievaluonte mitin dardan, aq fort i dashur për elitat e dikurshme në Romë, e kësisoj ta përforconte bindjen se prej tij rridhte edhe vetë perandori. Të paktën kështu janë fjalët e tij: ἔνθεν Ἰουστινιανὸς βασιλεὺς ὁ τῆς οἰκουμένης οἰκιστὴς ὥρμηται (“Nga këtu vjen Justiniani, perandor, themelues i botës së qytetëruar).

5. Justiniani mbase është perandori i parë dhe i fundit që i preku kufijtë e mundësive dhe pamundësive për Bizantin. Për Ostrogorskin, ky ka qenë perandor si rrallë të tjerë; për Obelenskyn, Justiniani ka qenë ai që e ktheu nderin e Bizantit në Ballkan (ashtu si Bazili më vonë e Manuel Komneni); për Vasilievin, Justiniani e çoi perandorinë në apeks dhe sakaq e degdisi në mjerim. Sidoqoftë, Justinianit duhet t’i jepet haku si perandor që shtetasve të Perandorisë iu dha një ndjenjë sigurie. Kjo sepse krejt brendësirën e Ilirisë e fortifikoi me mure (sipas fjalëve të Prokopit: Οὕτω μὲν σύμπασαν τὴν μεσόγειον Ἰουστινιανὸς βασιλεὺς ἐν Ἰλλυριοῖς ἐτειχίσατο).

6. Dëshirën e tij pontifikuese e pavdekësoi edhe me Ulpianën, disa kilometra në jug të Prishtinës. Prej kohës kur shkruante Prokopi, për aq sa shkonin arkivat imperiale, Ulpiana ishte qytet i moçëm (ἦν δέ τις ἐν Δαρδάνοις ἐκ παλαιοῦ πόλις ᾗπερ Οὐλπιᾶνα ὠνόμαστο). Me komoditetin e dijes së sotme arkeologjike, ne e dimë me mjaft siguri se Ulpiana u themelua së paku katër shekuj e kusur para se të shkruante Prokopi. Me udhër perandorak, konstruktin e vjetër ia përtëriu me edifice e ledhe të reja (ταύτης τὸν περίβολον καθελὼν ἐκ τοῦ ἐπὶ πλεῖστον (ἦν γὰρ σφαλερὸς ἐς τὰ μάλιστα καὶ ὅλως ἀχρεῖος) ἄλλα τε αὐτῇ παμπληθῆ ἐγκαλλωπίσματα ποιησάμενος).

7. Po nga cila anë shihte krishtërimi vendor i Dardanisë: drejt Romës a Kostandinopojës? Ambiguiteti i kësaj çështje është i tillë sa dëshmohet prej interpretimeve të shumta që vazhdojnë mes shkollarësh sot e gjithë ditën. E rëndësishme të thuhet se pikërisht në kohë të perandorit me prejardhje nga Dardania u krijua kryepeshkopata e quajtur Justiniana Prima. Duke e caktuar selinë në Justiniana Prima (afër Lebanës së sotme), Novela XI e vitit 535 e bënte të pavarur nga Kryepeshkopi i Selanikut. Kjo kryepeshkopatë, që mbulonte provincat jugdanubiane Dacia Mediterranea, Dacia Ripensis, Moesia Prima, Dardania, Praevalitana, Macedonia Secunda dhe një pjesë të Pannonica Secunda, kishte filluar të anonte disi më shumë kah Kostandinopoja. Ka disa konsiderata të forta që, sidomos pas të ashtuquajturës skizma akakiane që zgjati nga 484 deri më 519, Selaniku dhe provincat greqishtfolëse po pikëpërkonin më fort me Kostandinopojën. /Nacionale/

Lajme të ngjashme