“Çfarë dreqin ke me policë”, Haziri kritikon Cramonin: Drejtohu te Kurti
Në një postim në Facebook, Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka komentuar ultimatumet e Listës Serbe dhe situatën në veri të Kosovës. Haziri ka thënë se, nëse nuk arrin një marrëveshje, kryetarët e institucioneve do të vazhdojnë punën e tyre pa legjitimitet, por brenda rregullave ligjore.
Ai theksoi se deri në gjetjen e një zgjidhjeje, ata do të mbulojnë vakumin institucional, por pa lejuar që ky vakum të ndikojë negativisht në funksionimin e shtetit.
Haziri gjithashtu bëri thirrje që të mos trajtohen ministra vizitorë si "liberatorë të serbëve të Kosovës në veri", duke shtuar se kjo sjellje dëmton shtetin, progresin dhe partneritetin e vendit.
Më tej Haziri kritikoi eurodeputeten Cramon duke thënë se nëse ka ndonjë problem me veprimet e policisë, duhet të drejtohet tek urdhërdhënësi i tyre, Albin Kurti.
"Sa i përket ultimatumit të Listës Serbe, më 1 qershor kryetarët vazhdojnë punët ditore. Deri në një marrveshje, ata do të mbulojnë vakumin institucional pa legjitimitet por legal. Lind dielli prapë, punën e vazhdojnë në kafene. Ndërsa për disa ministra vizitorë, mos u sillni si liberatorë të serbëve të Kosovës në veri se jeni duke e dëmtuar shtetin, progresin e këtij vendi dhe partneritetin. Lejoni ata kryetarë legalë e pa legjimitet që të shkojnë në punë ditore pa policë e liberatorë-ministra, se jeni duke i dëmtuar në ditët e para të punës. Von Cromon, çfarë dreqin ke me policë?! Ata zbatojnë urdhra në zbatim të ligjit. Drejtohu te urdhërdhënësi. Zonja e vjetër, nëse s’e di, ai quhet Albin Kurti!", tha Haziri.
