Çdo vit nga një qëndrim: Kurti ndryshoi qëndrimet për dialogun edhe si kryeministër - NACIONALE

Çdo vit nga një qëndrim: Kurti ndryshoi qëndrimet për dialogun edhe si kryeministër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurtit nuk i ka mjaftuar vetëm shkelja e zotimeve të tij si opozitar në raport me dialogun me Serbinë. Ndryshimin e qëndrimeve për këtë proces ai e ka vazhduar edhe pasi është bërë kryeministër i Kosovës.

Në secilin vit të qeverisjes se tij, kryeministri Kurti ka ndryshuar qëndrimin rreth dialogut, duke u tërhequr kështu në dëm të interesave të interesave të Kosovës. Deri me tani nga pozita e kryeministrit tri herë ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.

Në vitin 2021, ai ka thënë dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij, në vitin 2020 është zotuar se marrëveshje me Serbinë do të jetë pa asociacion dhe me njohje reciproke në qendër, kurse më 27 shkurt të këtij viti Kurti ka pranuar Planin e BE-së, i cili në qendër ka asociacionin dhe nuk e ka fare njohjen reciproke.

Ndryshimi i qëndrimeve

Deri me tani, kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për ndryshimin e qëndrimeve në cilësinë e shefit të ekzekutivit.

Edhe pasi kishte marrë mandatin e kryeministrit, Kurti ishte shprehur skeptik për dialogun me Serbinë.

Ai vazhdimisht ishte shprehur se dialogu nuk do të ishte asnjëherë prioritet i tij.

Se nuk i intereson dialogu, Kurti e kishte konfirmuar edhe gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, të cilin e kishte dhënë më 18 shkurt të vitit 2021.

“Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë Covid-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë ose të shtatë, unë do të mund të bëj një koncesion dhe ta sjell në vendin e katërt, pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjell në top dy prioritetet”- kishte deklaruar Kurti.

Nuk kishte vonuar shumë dhe në vitin 2022 dialogu ishte bërë ndër prioritet kryesore të tij.

Gjatë kësaj kohe, ai kishte thënë se me Serbinë duhet të këtë njohje reciproke në qendër.

Madje, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, më 21 nëntor të vitit të kaluar ai kishte thënë se është i gatshëm të diskutojë vetëm mbi këtë bazë.

"Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që e ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo nuk bën njëra pa tjetrën", ka thënë Kurti.

Ndërsa, në vitin 2023, ai ka pranuar se njohjen reciproke nuk mund të arrihet në këtë fazë.

Në planin e BE-së, të cilin e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel, njohja reciproke nuk parashihet fare. Për me tepër ky propozim parasheh edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kurti e kishte kundërshtuar për një dekadë.

Muajin e kaluar, para deputetëve, kryeministri Kurti mundohej t`i numëronte të mirat e planit të BE-së.

"Unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elemente që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor", ka thënë Kurti, duke pranuar se pjsë e planit do të jetë edhe Asociacionin.

"E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto; E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; dhe E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë", është shprehur Kurti

Ymeri i shqetësuar

Ndryshimi i këtyre qëndrimeve është parë si shumë shqetësuar nga analisti Visar Ymeri.

Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se Kurti duhet të shpjegohet për këto qëndrime.

“Ne i kemi tre Albina në raport me dialogun. Në vitin 2021 se nuk merrem me dialogun dhe nuk është urgjente, më 2022-tën marrëveshje vetëm me njohje dhe pa ‘Zajednicë’, dhe më 2023-tën marrëveshje pa njohje dhe me ‘Zajednicë’, qeta tre Albina janë të tret kryeministra, asnjëherë prej tyre nuk ka qenë në opozitë. Të tret kanë qene kryeministra pragmatikë dhe që të tret kanë një këndvështrim për një çështje goxha të rëndësishme”, ka thënë Ymeri.

Ish-kryetari i VV-së ka bërë me dije se kjo tregon se kryeministri Kurti nuk ka qenë në gjendje që ta lexonte situatën si duhet.

"Nëse Albin Kurti si kryeministër nuk paska pasur aftësi ose mundësi me e lexu se çka po ndodh me procesin e dialogut vitin e kaluar, çka po ndodh me situatën politike vitin e kaluar, atëherë mua me tmerron kjo sepse nuk kam siguri që edhe sot është duke i lexuar qysh duhet. Me e lexu situatën e tillë nënkupton, mes tjerash, edhe me i kriju vetes mundësi të reja. Këto mundësi mundesh mos me ia kriju vetës për shkak të keqleximit", ka thënë Ymeri.

Lajme të ngjashme