Carrabregu u reagon medieve pse e quajtën “profesor”, por heshti kur Kurti e prezantoi si profesor - NACIONALE

Carrabregu u reagon medieve pse e quajtën “profesor”, por heshti kur Kurti e prezantoi si profesor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gent Carrabregu, një qytetar që nuk është profesor, ditë më parë shkroi një reagim relativisht të gjatë në gjuhë angleze kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai u citua gjerësisht nga mediet në Kosovë. Por z. Carrabregut, e ritheksojmë qytetarit joprofesor, i ka penguar emërtimi si profesor, duke harruar se njëjtë e kishte prezantuar edhe Albin Kurti në një status, të cilin edhe ai e kishte shpërndarë.

Më saktësisht, Carrabregut nuk i pëlqeu titulli që ia “mveshën” mediet. Sipas Carrabregut, ai s’është profesor, por vetëm hulumtues shkencor. Madje në “vërejtjen sqaruese për mediat” (mediet, jo mediat z. Carrabregu), ai shkroi aq gjatë, sa zor se ndonjë njëri i ka shkuar deri në fund leximit të statusit që të lë përshtypjen e një "manifesti personal të supremacisë intelektuale".

“Unë nuk mbaj titullin Profesor. Nëse veç jeni të interesuar për titullin formal të pozitës time aktuale, atë mund ta gjeni me një kërkim të shpejtë në internet. E keni të shënuar në faqen time personale në rrjet, por edhe në faqet e mia të tjera në portalet e Duke University, Academia, apo dhe ResearchGate. Titulli formal i pozitës që mbaj është “Research Scientist” (Hulumtues shkencor/Shkencëtar kërkimor).” – shkroi ai me një tonë arbitrar prej akademiku.

Në shkrimin e tij, z. Carrabregu, hulumtuesi shkencor, por assesi profesori, citoi edhe Habërmasin, filozofin më të njohur gjerman ende gjallë, për të treguar një kulturë medietike që fetishizon titujt. Natyrisht nuk mungoi as citimi i Bertrand Russell-it dhe Noam Chomsky-t, dy mendimtarë të shquar perwndimor.

Që në hyrje, z. Carrabregu, më saktësisht (për të respektuar dëshirën e Carrabregut për precizitet semantik) gjuha e tij e shpërfaqë mungesën e titulli të profesorit. Z. Carrabregu e shfrytëzoi një term që përgjithësisht përdoret në kontekste pezhorative dhe denigruese, duke dhënë një përfundim arbitrar se kultura shqiptare është "kulturë katundare".

“Fetishizimi i titujve profesionalë dhe akademikë është një dukuri e përhapur te kulturat katundare që e kanë zbuluar shkollën vonë, ku bën pjesë edhe kultura shqiptare, por mbase dhe ato ballkanike në përgjithësi.” – shkruan ai, duke përdorur termin “kulturat katundare” që në shqipe tashmë termi “katundar” shënjon ngarkesa gjuhësore të racizmit kulturor e krahnor.

Sidoqoftë, përtej “vërejtjes për media” të Carrabregut, ka edhe një aspekt tjëtër. Duket se z. Carrabregu ka harruar një të kaluar të afërt. Në korrik të vitit 2022, Kurti në profilin e tij kishte njoftuar se ishte takuar me Gent Carrabregun, qytetarit që s’i pëlqen të quhet profesor. Por këtë titull ia kishte dhënë edhe z. Kurti. Por atëherë hulumtuesi shkencor Carrabregu nuk ishte bezdisur nga titulli i profesorit.

“Besnik Pula dhe Gent Carrabregu. I pari profesor në Universitetin Shtetëror Politeknik të Virxhinias kurse i dyti në Universitetin Duke të Karolinës Veriore. Ekonomia politike e teoria kritike, dhe, filozofia politike e teoritë e demokracisë, janë fushat e tyre. U takuam e bashkëbiseduam në Ëashington DC. Sepse nuk ka ngjarë ndonjëherë që ta kalojmë oqeanin në cilëndo kahje pa u takuar. Janë studiues të rinj por me përvojë dhe miq të moçëm të mi. Nuk më kritikojnë aq, ndoshta edhe për shkak se e dijnë sa shumë kanë ndikuar tek unë.” – kishte shkruar z. Kurti.

Madje z. Carrabregu kishte shkuar një hap më tutje. Jo vetëm që nuk e refuzoi titullin e profesorit në postimin e Kurtit, por edhe e shpërndau postimin e Kurtit, të cilin edhe e komentoi.

“Faleminderit Kryeministrit Kurti për pritjen dhe për bisedën! Ishte nder dhe kënaqësi, si gjithnjë. Gjithashtu kënaqësi ta takoja Prof. Besnik Pulën, pas një kohe të gjatë. Kam mësuar shumë prej të dyve.” – shkruante ai, duke mos reaguar për “fetishizimin e titujve” nga ana e Kurtit.

Sidoqoftë, Nacionale do t’i referohet z. Carrabregut tash e tutje si “hulumtues shkencor” në Duke University. Megjithatë, inkurajojmë z. Carrabregun t'i kërkojë z. Kurtit apo stafit të tij të ndryshojë përshkrimin në postimin e 29 korrikut të vitit 2022.

Lajme të ngjashme