Cakolli: Vendi shkon në zgjedhje nëse presidenti nuk zgjidhet deri në mesnatën e 5 marsit
Eugen Cakolli nga organizata "Demokracia në Veprim" ka komentuar afatet kushtetuese për formimin e institucioneve, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme nëse dështon zgjedhja e Presidentit brenda fillimit të muajit mars.
Gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani”, Cakolli saktësoi se data 5 mars përbën afatin e fundit kritik. Sipas tij, nëse deri në mesnatën e kësaj date vendi nuk ka zgjedhur kreun e ri të shtetit, shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja janë të pashmangshme.
“Unë besoj që ka gjasa reale që Vjosa Osmani t’i sigurojë votat e nevojshme për të qenë presidente përmes bashkëpunimit me akterë brenda LDK-së dhe eventualisht të ndonjë deputeti individual. Por më së voni presidenti do të duhet të zgjidhet deri më 5 mars, nëse nuk ka president të zgjedhur deri më 5 mars në mesnatë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme”, tha Cakolli.