Buzhala: Rama 'po heton nxehtësinë', Urani nuk është më 'outsajder' – VV-ja mund të humbë 15% - NACIONALE

Buzhala: Rama 'po heton nxehtësinë', Urani nuk është më 'outsajder' – VV-ja mund të humbë 15%

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, gara për kryetar të Prishtinës po hyn në fazën e saj vendimtare. Kryetari aktual Përparim Rama, kandidati i Vetëvendosjes Hajrulla Çeku dhe ai i PDK-së, Uran Ismaili, ndodhen në një garë të ngushtë – sipas sondazheve që ka gazetari Berat Buzhala ka siguruar – me diferenca tejet minimale.

Përparimi "po heton nxehtësinë" nga Urani

Sipas Buzhalës, kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka filluar të ndjejë presionin e konkurrencës nga kandidati i PDK-së Uran Ismaili.

“Çka kam vërejtur ditëve të fundit: Përparimi ka filluar me hetuar – siç thonë “me hetuar nxehtësinë te këmbët” – sepse po i përcjell edhe faqet e LDK-së dhe kanë filluar ta godasin Uranin. Ata po e shohin që Urani nuk është më “outsajder” siç kanë pretenduar në fillim, që i ka 17-18 përqind.”

Buzhala analizoi gjithashtu natyrën e konfliktit midis Ramës dhe Ismailit, duke thënë se prishja e tyre nuk lidhet me keqqeverisje, por me faktin se tërheqja e Ismailit ishte e ditur nga fakti që ai planifikonte të rikandidonte për pozitën e kreut të kryeqytetit.

“Edhe mbrëmë, i tha “ti ke pirë kafe katër vjet kur unë kam punuar”, ndonëse dy vjet kanë qenë bashkë këta të dy, dhe prishja e tyre është çdo gjë përveçse parimore.

S’ka lidhje kjo me keqqeverisje – ajo ka ndodhur sepse Urani e ka ditur që do të kandidojë dhe ai ka qenë ideal për të dalë, sepse ti s’mund të qëndrosh deri në fund. Është dashur të shpiket një konflikt me Përparim Ramën dhe të pretendohet si kandidat që s’ka marrë pjesë në qeverisje. E para, ka marrë pjesë në qeverisje; e dyta, ka filluar të rritet. LDK-ja ka filluar ta hetojë këtë gjë.

Janë plot faqe në rrjete sociale – TikTok, Facebook – që po merren me Përparim Ramën. Kjo është pasqyrim i strategjisë së tyre sepse Urani nuk është më “outsajder”. Problemi më i madh në këto zgjedhje është rënia e Vetëvendosjes. Duhet të jetë i kënaqur Hajrulla Çeku nëse e kalon 30 përqindshin. Ka një rënie për gati 15 përqind.” – tha Buzhala.

Vetëvendosja në rënie drastike

Sipas Buzhalës, VV-ja po përballet me një rënie prej gati 15 përqind krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

“Gjithashtu, lajmi i keq për VV-në dhe i mirë për Uranin është që një numër i madh i të pavendosurve – dhe prej tyre shumica janë ose me Uranin ose me Hajrullahun. Përparimi ka arritur ta ruajë bazën prej 29 përqind që e ka pasur, 30 përqind në zgjedhjet parlamentare në Prishtinë. Ka një rritje, por modeste.” – tha ai.

Bazuar në sondazhet më të fundit që Buzhala tha se i ka siguruar, garën e udhëheq Përparim Rama me 33 deri në 35 përqind të mbështetjes, i ndjekur nga Hajrulla Çeku me 30-33 përqind, dhe Uran Ismaili me 26 deri 29 përqind.

Megjithatë, ai vuri theksin te numri tejet i lartë i të pavendosurve të cilët, tha ai, "ndahet mes Uranit dhe Hajrullahut."

“Sipas sondazheve të fundit: Përparimi është 33 deri në 35 përqind; Hajrullahu është 2 pikë më poshtë se Përparimi, 30-33; ndërsa Urani është 2-3 pikë më poshtë, 26 deri 29. 15 përqindëshi i të pavendosurve ndahet mes Uranit dhe Hajrullahut.”

Lajme të ngjashme