Buzhala: O Albin, Rrahmani s’i merr 100€ - ulu edhe përfundoje çështjen e grevës
Të premten e 16 shtatorit u publikua edhe episodi i 28 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Atyre që s'e përcollën dot gjatë premierës, ua kujtojmë faktin se tri temat kryesore që u veçuan ishin "It's my home", Lufta në Ukrainë dhe Greva.
Në pjesën e zgjeruar këtu ndërkaq, autori foli për këtë "luftë" mes qeverisë e sindikatave, duke e etiketuar si të "ftohtë".
Ai shtoi se në mes të shtatorit, 90% e fëmijëve që supozohej të ishin në banka shkollore me 1 shtator, po qëndrojnë të ngujuar në shtëpi, për shkak të kryeneçësisë së të dyja palëve.
"Kur të gjitha këto po ndodhin, “It’s my home”, Ukraina edhe zhvillimet tjera globale, në vendin tonë edhe më tutje po zhvillohet një luftë jo e armatosur, po një luftë, le të themi e ftohtë, mes qeverisë edhe sindikatave. Mos harrojmë, jemi në mes të shtatorit, 90% e fëmijëve që supozohej ta fillonin shkollën me 1 shtator, po qëndrojnë të ngujuar në shtëpitë e tyre, derisa palët aksionere në këtë ndërmarrje të përbashkët qeveri edhe sindikatë, vazhdojnë që thuhet m’i “dridhë muskujt” për njëra-tjetrën", tha fillimisht Buzhala.
Tutje, gazetari për shkak të skemës programore të emisionit me pak kohë vonesë, komentoi takimin mes kryeministrit Kurti dhe kryesindikalistit Jasharaj.
Ideatori dhe kreatori i Ditarit, kritikoi Kurtin për faktin se ia keqpërdori një deklaratë Jasharajt, madje thotë se ia nxori nga konteksti.
"Ndodhi një takim, që s’e kemi komentuar për shkak se i njëjti ndodhi në fillim të javës, në mes të Rrahman Jasharajt edhe Albin Kurtit. Ai takim, që ishte një shkëndijë e shpresës, u thanë që gjasat janë të mëdha për marrëveshje, për faktin se Albini i priti. Secili prej neve shpresuam, që ndoshta palët do të dalin prej tij me një marrëveshje. Jo që nuk dolën me një marrëveshje, në kundërshtim me etikën e takimeve, në kundërshtim me praktikën e takimeve që zhvillohen brenda ambienteve zyrtare, kryeministri i vendit, i përdori ato që u thanë brenda takimit, me bë hajgare edhe me sulmu kreun e sindikatës së arsimit, Rrahman Jasharaj, me një frazë që ai e ka përdorë brenda takimit, që për shumicën prej nesh nuk kishte kurrfarë delikti brenda saj".

Këtu pastaj, Berat Buzhala pyeti shikuesit se si diskutojnë me palën tjetër, me këtë palë tjetër që gëzon paratë, kurse ju jeni pala që keni prapa vetes punëtorë, por në suaza fuqie jeni më të dobët.
"Për shumicën prej nesh analistëve që e kanë komentuar këtë gjë, që kinse, sipas Kurtit, e shkëputur ndoshta prej kontekstit, Rrahman Jasharaj paska thënë: Ndihmona o vëlla! Si i thotë ju të dashur miq që po na përcjellni kur keni ndonjë telashe, që njëmend jeni pala më e dobët, që pala tjetër është më e fortë, që pala tjetër i ka paratë e ju i keni le të themi një pjesë të industrisë me vete, secili prej neve thotë: o vëlla! Mirëpo, vetëm kryeministri Kurti këtë përgjërim, këtë përulje, ka ditë me lexu negativisht. Pra, edhe intonacioni është negativ: ami 100 euro!!(shtrëngon dhëmbët)".
Në pjesën e fundit ndërkaq, Buzhala kërkoi nga Kurti që të ulet të diskutojë dhe të gjejë një zgjidhje përfundimtare për këtë, duke shtuar se Rrahmani nuk i ka për vete këto para dhe se po të bëhet testi, do të vërtetohet lehtë që ai as nuk do t'i marrë këto para.
"A përnime dikush prej mendon që Rrahmani i ka thënë atij: ami 100 euro a?!Po portretimi negativ, e pastaj nxitja e hordhive “online” kundër Rraham Jasharajt: pse ia ka lypë 100 euro?!Rrahmani nuk i ka lypë 100 euro për veti. Rrahmani edhe që thonë këta “rrahmanët e arsimit”, ata që ishin në takim me Kurtin nuk i lypën: na jep neve 100 euro!Unë jam i bindur, le ta testojmë nëse nuk është ashtu, që Rrahman Jasharaj edhe nuk i merr ato para për veti", përfundoi Buzhala.
Më poshtë gjeni pjesën e zgjeruar në këtë tekst, kurse më lartë gjeni edhe episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

