Buzhala: Albini e di mirë, në shah duhet të sakrifikosh figura për ta fituar lojën
Mbrëmë u publikua edhe emisioni numër 22 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Në fraksionin gjegjës u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe jo vetëm.
Ndërkaq, si pjesë të veçantë e kemi zgjedhur kur autori diskutoi për Asociacionin, e nga ku i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të sakrifikojë ndonjë figurë, për të arritur fitore në fund, sikurse në lojën e shahut, që ndonjëherë, gjithmonë nëse je llogaritar i mirë, t’ia ‘falësh’ kundërshtarit kalin, toren ose oficerin, për të triufmuar në fund.
Gjithashtu, ai përmendi faktin se me diplomatët që ka biseduar kohëve të fundit ka mësuar se Kurti më 18 gusht në Bruksel kërkonte që të flitej veç për të pagjeturit edhe për reciprocitetin.
“Me krejt diplomatë që kam fol kohëve të fundit, më kanë tregu qysh në dialogun pesëorësh që ka zgjatë atje, Albin Kurti ka insistu me diskutu në mënyrë të ndarë vetëm për të pagjeturit edhe për reciprocitetin. Krejt bashkësia ndërkombëtare po thotë: Jo jo, hajde ta zgjerojmë kontekstin, s’mundemi me fol ne veç për këtë çështje”, dhe detaje Buzhala.
Në këtë kontekst, gazetari përmendi faktin se nuk është e nevojshme që të marrësh çdo ushtar në lojën e shahut. Nuk luftohet për secilën figurë. Luftohet për në fund. Për fitoren përfundimtare.
“Nuk mjafton me pasë të drejtë në politikë. Albini edhe mundet me pasë të drejtë atje. Unë e di që është merak me lujtë shah. Në shah kohë pas kohe ti e sakrifikon një figurë, për me fitu lojën. Nëse je lojtar i mirë. Nëse je shahist i mirë. Pra, nuk dmth në secilën fazë të shahut ti me qenë në epërsi. Nëse ti e kalkulon mirë, një ushtar, një kali ose oficer, nuk është humbje nëse ti e kalkulon fitoren e plotë përfundimtare. Albini Kurti po tenton me fitu secilin ushtar, duke rrezikuar aleanca siç është aleanca me Amerikën”, vazhdoi Buzhala.
Tutje, gazetari shtoi se kreu i ekzekutivit kosovar është obsesionuar pas një fitoreje momentale, duke rrezikuar një aleancë siç është ajo me Amerikën.
“Është obsesionu për një fitore momentale për reciprocitet, po do me patjetër me blloku kufirin atje, duke rreziku një aleancë me Amerikën që po paraqitet më e afërt me Serbinë sesa me neve. Pra, nuk po e kuptoj këtë verbëri politike, që më të rëndësishme i kanë triumfalizmat momentalë, sesa vizionin dhe interesin nacional. Interesi nacional i Kosovës, para se me qenë reciprociteti i plotë me Serbinë, kudo, në ekonomi, në letërnjoftim, targa – interes nacional para se me qenë këto, është raporti me Amerikën”, procedoi ai.
Veç kësaj, autori i emisionit shtoi se para 23-24 vitesh nuk kemi pasur as targa, as letërnjoftime e besa as institucione.
“Pra lidhjet historike, të ngushta me Amerikën, janë ajo çka është interes nacional i popullit të Kosovës. Sepse ne, para 23-24 vjete, as s’kemi pasë targa, as s’kemi pasë letërnjoftime, as s’kemi pasë institucione, po kemi llogaritë edhe kemi punu me një aleancë të tillë. Tash çmenduria është m’u pik këtu që thonë si “duli n’pasul”. Me patjetër, me arrit një fitore me 1 shtator sepse ka thënë ashtu. Kjo nuk ka me çu kërkund. Pra, në vendin tonë, krejt problemet janë të zgjidhshme deri në faza të caktuara. Mirëpo ky momentum politik, global, unë nuk mendoj që do të vjen edhe pas pesë viteve. Historikisht, Serbia ka llogaritë në një ndihmë ruse. Siç e thashë pak më herët, Rusia është në litarë. Është e mbështetur”, përfundoi Buzhala.
