“Budallë, sharlatan”: Qysh u shanë "me çka ka" vartësi i Kurtit e Blerim Latifi për Skënderbeun? - NACIONALE

“Budallë, sharlatan”: Qysh u shanë "me çka ka" vartësi i Kurtit e Blerim Latifi për Skënderbeun?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri është mjek, ndërsa tjetri profesor filozofie. Në një vend normal – sigurisht, evropian – mjeku e profesori i filozofisë do të ishin qytetarë me gjuhë politikisht korrekte. Sidoqoftë, në rastin e Arbër Vokrrit e Blerim Latifit, gjuha politikisht korrekte ishte krejtësisht e papërfaqësuar në "duelin e fundit virtual". Ata u fyen me terme goxha të rënda, ndërsa nuk ngurruan që t'ia diagnostikonin “sëmundjet” njëri-tjetrit.

Krejt kjo “bela shkronjash” u bë për shkak të figurës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, kryehero i kombit shqiptar, që ka ndërruar jetë para 556 viteve. Përkundër gati gjashtë shekujve prej kur ka ndërruar jetë Skënderbeu, figura e tij hapi një debat në shekullin XXI në mes të zhvillimeve të hovshme rreth inteligjencës artificiale.

Origjina e debatit është një koment i Vokrrit rreth Skënderbeut, për të cilin raportoi në mënyrë kritike gazeta Nacionale. Në atë koment, Vokrri e quan familjen e Skënderbeut “pravosllave”.

“Ky sultan gjysmëshqiptar e mundi perandorin gjysmëserb të Bizantit (ai u vra), dhe dihet se ishte në luftë kundër pjesës pravosllave të familjes Kastrioti, sikurse edhe i ati i tij. Megjithatë këta sulltanë nuk i kishin ngucur Kastriotët pravosllavë kur këta u bënë edhe murgj në manastirin më të shenjtë serb, aty ku edhe janë varrosë” – shkroi Vokrri dy ditë më parë.

Latifi reagoi kundër komentit të Vokrrit, duke e nisur “spiralen” e dhunës verbale me të. Profesori i filozofisë, që po e komentonte historinë, e quajti Vokrrin “hajvan në kuptimin klasik të fjalës”. Tutje, Latifi e akuzoi Vokrrin për “propagandë talibaneske”, ndonëse nuk ia përmendi fare emrin.

“Tipi paguhet prej taksave të qytetarëve për t'u marrë me punët e shtetit, të cilat janë për faqe të zezë, ndërkaq ai merret me probleme të komplikuara të historiografisë dhe propagandë talibaneske. T'i thuash i papërgjegjshëm është pak. Jo, mendoj se kemi të bëjmë me një hajvan në kuptimin klasik të fjalës. Dhe pastaj çuditemi pse njerëzit e këtij vendi kanë bërë gati valixhet për të ikur një orë e më parë nga ky vend. Sepse si të mos ikësh kur në krye ke tipa që veç në Kabul i gjenë” – shkroi ai.

Kundërpërgjigjja e Vokrrit ishte në të njëjtën linjë të dhunës verbale. Vokrri, mjek që paradoksalisht pretendon për rrokjen kirurgjikale të historisë së Skënderbeut, e quajti Latifin “sharlatan”.

“Blerim, trus se s'e ki ti kryet me u marrë me çështje "komplekse" as të historiografisë, as të kurrçkafit. Me konë i miri s'kishe provoku me çdo paraqitje publike, si sharlatan që je, pa trohë fuqie argumentuese” – ia ktheu Vokrri Latifit.

Në kundërpërgjigjen e tij, Latifi e përmendi me emër Vokrrin, duke e quajtur “budallë”.

“Qysh të definohet njeriu, si ky zv.Vokrri, që pasi ka studiu mjekësi deklarohet me plot vetëbesim për çështjet e historisë së mesjetës, për të cilat edhe historianët më të njohur në botë shprehen me rezerva kritike?

Sille kah te sillsh veç një fjalë kryen punë: budallë. Sepse, siç thotë Russell, budalltë janë plot vetëbesim, ndërsa të diturit plot me dyshime” – shkroi mbrëmë Latifi në “Facebook”.

Në reagimin e tij të fundit, Vokrri e ofendoi rëndë Latifin, duke shkruar se ai ka nevojë të trajtohet në veterinari. Në fund të shkrimit, Vokrri bëri një thurrje në gjuhën angleze me një përmbajtje aspak korrekte: "#MadCowDisease (sëmundja e lopëve të çmendura).

“Blerim, kam studiu mjekesi dhe po te kursej nga diagnoza (se e verteta nganjehere dhemb teper), mirepo po te ndihmoj pak...je per veterinari, aty duhet te trajtohesh.

Si zv.minister une mbaj qendrime parimore dhe nje konsistence. Krejt ndryshe nga ti qe si keshilltar politik ke mbajte symbylltaz qendrime te liderve, ke aprovu gjithmone e gjithçka mbare e prape. O i mjere, si nuk e shfaqe Seneken ku duhet dhe Sokratin ku ishte nevoja.

Heren tjeter pertej mesjetes do te mund te mesosh edhe dicka tjeter nga une, por nuk te siguroj se do te te pelqeje” – shkroi ai.

Deri më tani, Latifi ende nuk i ka reaguar Vokrrit në lidhje me reagimin e fundit, që ishte reagim ndaj reagimit të Latifit. Nejse, u zgjat edhe shkrimi mbi reagimet.

Lajme të ngjashme