Britania e Madhe merr shembull Kosovën për një mision paqeruajtës në Ukrainë
Prania e ushtarëve britanikë në Kosovë mund të shërbejë fare lehtë si model për një mision paqeruajtës që Britania e Madhe do ta ndërmerrte në Ukrainë.
Kjo mundësi është kronikuar nga mediumi “Army-Technology” në dritën e përpjekjeve të fundit diplomatike për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.
Autori i artikullit Richard Thomas – i cili është dhe kryeredaktor në GlobalData – ka përmendur takimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump fillimisht me presidentin rus Vladimir Putin, e më pas edhe më atë të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.
“Ajo çfarë do të vijë tani është mundësia e një takimi trilateral Trump-Putin-Zelenskyy, me gjasë në Arabinë Saudite si territor neutral, ku në teori mund të nisin bisedimet për hollësitë e një marrëveshje jo aq për armëpushim, por tamam për paqe”.
Një armëpushim, sipas autorit, do t’i leverdiste Zelenskyyt, tekqë do ta ndalonte gjakderdhjen në Ukrainë pa pasur nevojë që formalisht t’i cedojë Rusisë 20 për qind të tokës së saj.
Ndërkohë kryeministri britanik Keir Starmer, i prirur për të shmangur trazirat e brendshme politike dhe me synimin për t’u rikthyer në skenën botërore, është duke e shqyrtuar atë se çfarë do të jetë në gjendje të ofrojë Mbretëria e Bashkuar për një forcë evropiane të sigurisë në Ukrainë.
“Çuditërisht, ushtria britanike, përderisa është e paaftë për të ndërmarrë luftime të intensitetit të lartë, mund të jetë e përshtatshme për një strukturë paqeruajtëse të ngjashme me atë që është parë me kontributin e saj në vendosjen paqeruajtëse në Kosovë në fund të viteve ‘90”, shkruan artikulli.
Asokohe, kontributi britanik në misionin e NATO-s në Kosovë kishte qenë rreth 2,000 vetë në kuadër të një ushtrie prej 50 mijë vetash sa i vendosi Aleanca Veriatlantike.
“Kryesisht, njësitet ishin të pajisura me rol të lehtë, duke përdorur bartëse të koracuara FV432 apo Land Rover 110 për lëvizshmëri, të mbështetura prej armësh të lehta 105 mm L118. Rikonjicioni mundësohej nga tankset e lehta Scimitar dhe Scorpion, që ironikisht i janë dhuruar Ukrainës”.
Sipas artikullit, është e mundshme një vendosje e ushtrisë britanike në Ukrainë me një personel prej 1 mijë deri në 2 mijë trupa si pjesë e një force të gjerë evropiane për ruajtjen e paqes.
Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar ka edhe kontribute ushtarake në vende të tjera si në Afrikë, në vendet e Gjirit, në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Qipro, si dhe angazhimet e NATO-s në Baltik.
Hëpërë, kontigjenti britanik është 600 trupa në kuadër të KFOR-it, me mandatin që është zgjatur së paku deri më 2026.