BQK-ja thotë se kushdo që ka 500 euro mund t’i konvertojë në institucionet financiare
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se e ka ndaluar riqarkullimin e kartmonedhës 500-euroshe. Në lidhje me këtë temë, goxha të debatuar në Kosovë, BQK-ja ka lëshuar një rregullore për operacione me paratë e gatshme, ku ka dhënë sqarime shtesë.
Në këtë rregullore, ata kanë treguar se çka nënkupton ndalimi i riqarkullimit të kartmonedhës 500 euro, duke sqaruar se klientët mund ta konvertojnë atë në institucionet financiare.
“Çka nënkupton ndalimi i ri-qarkullimit të kartëmonedhës 500 euro?
Duke filluar nga data 1 shkurt 2024, të gjitha institucionet financiare bankare dhe jo-bankare janë të obliguara që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës 500 euro tek klientët e tyre. Kjo nuk nënkupton ndalimin e qarkullimit të saj ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës. Kur e njëjta deponohet nga klientët, e njëjta nuk rikthehet më në qarkullim nga institucionet financiare.
Gjithashtu, klientët mund ta konvertojnë në institucionet financiare kartëmonedhën 500 euro në denominime më të vogla sikurse janë 200 euro, 100 euro, 50 euro, 20 euro, 10 euro, 5 euro dhe të tjera.” – shkruhet në këtë rregullore.