‘Bota serbe’ po e gllabëron Maqedoninë
10 shtator 2025 – Bashkimi Demokratik për Integrim ka tërhequr vërejtjen se institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut po përfshihen në akte që paraqesin afrim me projektin e ‘botës serbe’.
Nëpërmjet një reagimi, kjo parti ka shprehur shqetësimin se ky shtet po përballet me një mësymje të hapur të projektit famëkeq.
“Ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, fatkeqësisht, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë”.
Në reagim është përkujtuar se pas festimeve në Manastir, ku ishte i pranishëm një delegacion i lartë i Serbisë për të festuar ‘Frontin e Selanikut’ që lidhet me pushtimin e Maqedonisë, më 7 shtator në Kamekçalan ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, foli për ‘rrugën e lirisë’ dhe ‘kthimin në atdhe’.
“Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si ‘Republika e tretë serbe’. Kjo është e papranueshme. Është kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit”, thuhet në reagim.
“BDI thekson qartë: projekti i ‘Botës Serbe’ është armiqësor për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit, kohezioni multietnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia jonë e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo tentativë për t’i minuar këto vlera do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis. Maqedonia e Veriut nuk është, dhe kurrë nuk do të bëhet ‘Republika e tretë serbe’!” /Nacionale/