Bota merret me ushtrinë serbe pranë kufirit të Kosovës, Kurti gjen kohë ta godasë Thaçin - NACIONALE

Bota merret me ushtrinë serbe pranë kufirit të Kosovës, Kurti gjen kohë ta godasë Thaçin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dislokimi i ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën ka nxitur reagime të fuqishme të faktorëve ndërkombëtar. Brenda një kohe të shkurtër, Serbia ka marrë kërkesa urgjente nga SHBA-ja dhe BE-ja për largimin e ushtrisë nga kufiri me Kosovën.

Pikërisht në kohën kur diplomatët perëndimor janë të preokupuar me këtë krizë, kryeministri Kurti ka zgjedhur të thërras mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton, VV-së.

Madje, në adresimin e tij ai nuk ka dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm për këtë çështje.

Para mbështetësve të tij, shefi i qeverisë ka zgjedhur të merret me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Me këtë rast, Kurti ka goditur ish-kryeministrin Thaçi duke thënë se ai është pajtuar me NATO-n për të mos e dërguar FSK-në në veri.

Për këtë arsyeje, sipas tij, tani kufiri duhet të rihet nga NATO.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-së i një pararendësi tim që nuk lejon FSK të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet dhe për këtë jemi duke e shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatet ndërkombëtarë e ata pranin NATO-s atje”, është shprehur Kurti.

Deklaratat e Kurtit nxisin reagime

Deklarata e kryeministri Albin Kurti për ish-presidentin Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë, ka nxitur reagime të shumta në vend.

I pari që ka reaguar ka qenë Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai i ka demantuar pretendimet e Kurtit, duke thënë se ajo marrëveshje nuk e ndalon shkuarjen e FSK-së në veri.

Sipas tij, marrëveshja e Thaçit me NATO-n flet për koordinimin e FSK-së me NATO-n për të shkuar në veri.

Albin Kurti nuk do unifikim. Ai do polarizim. Do mashtrim, duke i ushqyer militantët me interpretimet e tij politike. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje paska thënë: “Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet”. E para, në atë zotim nuk thuhet mos me i çu FSK-në në veri, por thuhet me i çu atje në koordinim me KFOR-in. Edhe, e dyta, zotimi është i 2013-ës kur FSK-ja nuk ka qenë as ushtri!”, ka shkruar Behramaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka pyetur se pse Kurti nuk e ndryshon këtë marrëveshje, meqenëse tani FSK-ja është ushtri.

Tash shumë lehtë e ka ky mashtruesi, meqë FSK-ja është ushtri: veç le të zotohet që e dërgon në veri pa u koordinuar me KFOR-in dhe e mbyllur është kjo çështje. Megjithatë, e vërteta qëndron më ndryshe, sepse për dallim prej FSK-së, ky as Njësinë Speciale më nuk e dërgon në veri pa u koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in. Nuk e ka dërguar pa lejen e tyre as vikendin e kaluar për t’u përballur me terroristët serbë dhe si pasojë është vonuar edhe intervenimi prej saj”, ka shkruar ai.

Ndaj deklaratës së Kurtit ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVK-UÇK-së, Faton Klinaku.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti edhe në kohë krizash merret me përqindje të votave.

Zotimi i ish Kryeministrit Thaçi ka thënë se misioni i FSK-së në veri bëhet vetëm në bashkëveprim me KFOR-in. Edhe ashtu Albin, ti po kërkon që NATO (KFOR) t'i përforcojë kufijtë e Kosovës. Se merret njeriu edhe në kohë krizash me % të votave, vetëm te ti ndodh kjo”, ka shkruar ai, duke ironizuar me të parin e Qeverisë.

Kollaj është kjo punë: Meqë nuk të intereson për zgjidhje politike e që ajo nuk bëhet pa Kosovën Lindore në tavolinë të bisedimeve, mbrojeni ju veriun me KFOR e ne po e mbrojmë territorin tjetër me FSK. ‘Me kallë luftën e mos me t'interesue se ku i del fundi, veç ju mund ta bëni këtë e pastaj të merrni like në fb’”, ka shkruar Klinaku.

Lajme të ngjashme