Borrell: Koha po fluturon, do të vazhdojë presioni për zbatim të Marrëveshjes
‘Koha po fluturon dhe tash është bërë një vit prej kur kishim marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të BE-së, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres’. Kështu ka thënë sot para gazetarëve, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell derisa shënohet përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit.
“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progress”, tha Borrell.
Ai foli edhe për takimin e nesërm në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.
Tha se ‘do të vazhdojë presioni ndaj palëve që të lëvizet përpara’.
“Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së.
Komente të ngjashme, Borrell bëri edhe të dielën në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij, në përvjetorin e Marëveshjes së Ohrit.