Borell ‘sulmohet’ edhe nga shefja e deputetëve të VV-së: Çka thotë ajo për reagimin e ShBA-së e Gjermanisë?
Trajtim nënçmues e përçmues, po konsideron shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, se i ka bërë kryediplomati evropian, Josep Borell, shtetit të Kosovës pas takimit të së hënës. Sidoqoftë, pavarësisht pyetjes që u përsërit disa herë, ajo refuzoi të flasë edhe për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara e Gjermanisë, në krejt këtë situatë.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila cilëson se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, ka përdorur gjuhë denigruese e patronizuese ndaj Kosovës dhe po mban në anën e Serbisë.
“Z.Borell në mënyrën si u prezantu, ka dalë tërësisht në anën e Serbisë, përdori gjuhë denigruese, patronizuese. Edhe pse e di, dikush mund të thotë kush është Kosova, është e vërtetë ka nevojë për Bashkimin Evropian, por nuk ka nevojë për trajtimin nënçmues e përçmues të përfaqësuesit të Lartë me politikën e të cilit nuk pajtohet Vuçiq”, tha ajo në Rubikon.
Pikërisht pas kësaj deklarate, pasoi pyetja e gazetarit Adriatik Kelmendi: Çka me ambasadorin gjerman e ambasadorin Hill?
Megjithatë, Kusari-Lila refuzoi të përgjigjet në këtë pyetje.
“Me ambasadorin gjerman dhe Hill mund t’i pyesësh përfaqësuesit e tyre”, deklaroi ajo.
Gazetari sërish insistoi të marrë një deklaratë, duke iu drejtuar me fjalët: Por ti ke koment për qëndrimin e Borell, e s’po komentoni qëndrimin e ambasadorit gjerman e amerikan?
“Kam koment për takimin ku ka qenë kryeministri i Kosovës, informatat për të cilin i ka ndarë me opinionin publik dhe bashkëpunëtorët e tij. Ka tregu gatishmëri për procesin, e bazuar në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha ajo.
ShBA-ja kërkon shtyrjen e vendimit edhe për 1 vit
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill kërkoi që zbatimi i vendimit për targat të shtyhet të paktën edhe për një vit.
“Bashkimi Evropian po bën një punë të shkëlqyer, por problemet urgjente nuk duhet të lejohen të lënë në hije çështje të rëndësishme. BE-ja e ka bërë të qartë se atyre u duhen më shumë se 48 orë, që janë dy ditë, dhe mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se ata do të donin të shihnin edhe 363 ditë të tjera. Mendoj se të gjitha palët e kuptojnë se duhet të bëjnë një gjë të tillë. Ajo që ndodhi në Bruksel tregoi se ka nevojë për bisedime të mëtejshme. Mënyra për të arritur një zgjidhje është fleksibiliteti, me përpjekjet e ndërmjetësve të BE-së” - theksoi Hill, raportoi gjatë së mërkurës Tanjug dhe Informer.
Këtu, vlen të përmendet se ambasadori Hill, në vazhdimësi ka pasur një qëndrim të ashpër rreth situatës së targave.
Madje, në një panel ku i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte thënë se këto kohë, kur Rusia po sulmon Ukrainën, po flitet për armë nukleare.
Krejt këtë, ai e kishte konsideruar më të rëndësishme se çështjen e targave.
“Shekuj pas kësaj, njerëzit nuk do të flasin për targa të veturave në Kosovë, do të flasin për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës...Ne kemi qenë duke folur për armë nukleare së fundi. A e keni vërejtur? Është më e rëndësishme se targat e veturave”, kishte thënë Hill.
Gjermania thirrje Qeverisë së Kosovës, përmend edhe Asociacionin
Qeveria Federale e Gjermanisë i ka bërë thirrje Republikës së Kosovës që të tregojë vetëpërmbajtje në mosmarrëveshjen e saj për targat ilegale.
Reuters në versionin gjerman, gjatë së mërkurës raportoi se Qeveria Federale e Gjermanisë i ka bërë thirrje Kosovës që të mos lejojë që mosmarrëveshja për targat me Serbinjë të përshkallëzojë situatën.
“Është e rëndësishme të përdoret ky afat (prej 48 orësh) për të gjetur një zgjidhje të përhershme,” – tha mes tjerash një nga zëdhënësit e Qeverisë, Steffen Hebestreit.
Për më keq, ai kërkoi që të futej në agjendë edhe çështja e Asociacionit.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga çdo masë ekzekutive që ka të bëjë me ndërrimin e targave. Përveç kësaj, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të vihet në agjendë.” – vazhdoi ai.
Nacionale i ka dërguar pyetje po ashtu Qeverisë Federale të Gjermanisë për ta pyetur në lidhje me pretendimet e kryeministrit të Kosovës se Borrell ka hequr dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nga plani franko-gjerman.
Paralajmërimi i Borrellit
Ndonëse të hënën pati një takim tetë orësh, Kurti-Vuçiq-Borell, i njëjti përfundoi pa marrëveshje në lidhje me çështjen e targave.
Kryediplomati Borell më pas, në një konferencë për media foli me tone mjaft të ashpra, duke lënë fajtore të dyja palët për situatën, por në veçanti, duke përmendur “sjelljet e Kosovës”.
“Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren, do të jetë e madhe…Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”- deklaroi ai.
Të mërkurën ndërkaq, emisari Mirsoslav Lajçak ka mbajtur një takim me kryenegociatorët e të dyja shteteve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Ndonëse janë bërë rreth pesë orë prej fillimit të takimit, deri tani nuk dihet nëse është arritur një marrëveshje ose jo në lidhje me targat.



