Amerika tash kërkon shtyrje një-vjeçare nga Kurti për çështjen e targave
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Cristopher Hill, e ka përsëritur kërkesën e bashkësisë amerikane për të shtyrë edhe më tutje zbatimin e vendimit për ndalimin e targave ilegale serbe në Kosovë. Sipas Hillit, që mori pjesë në një ligjeratë në një institut të gjenetikës në Beograd, vlerësoi se duhet një shtyrje një vjeçare të çështjes së targave.
Sipas Hillit, që u përgjigj në pyetjet e pjesëmarrësve, është e qartë që BE-së, të cilën e vlerësoi për punën e “shkëlqyer” të bërë, i duhet më shumë se 48 orë shtyerje të vendimit për gjobitjen e ngasësve të veturave me targa serbe në Kosovë.
Tutje, ambasadori i fuqishëm amerikan në Beograd, theksoi se duhet fleksibilitet për të arritur një marrëveshje.
“Bashkimi Evropian po bën një punë të shkëlqyer, por problemet urgjente nuk duhet të lejohen të lënë në hije çështje të rëndësishme. BE-ja e ka bërë të qartë se atyre u duhen më shumë se 48 orë, që janë dy ditë, dhe mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se ata do të donin të shihnin edhe 363 ditë të tjera. Mendoj se të gjitha palët e kuptojnë se duhet të bëjnë një gjë të tillë. Ajo që ndodhi në Bruksel tregoi se ka nevojë për bisedime të mëtejshme. Mënyra për të arritur një zgjidhje është fleksibiliteti, me përpjekjet e ndërmjetësve të BE-së” - theksoi Hill, raporton Tanjug dhe Informer.
Tutje, sipas Hillit rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për t’u qetësuar, duke shtuar se problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen në një mënyrë të qëndrueshme e afatgjate.
“Rajoni ka nevojë të qetësohet. Është e nevojshme të zgjidhen problemet në afat të gjatë, në mënyrë që serbët në Kosovë ta dinë se si do të jetë jeta e tyre. Kosova gjithashtu duhet të ketë perspektivën e një pozicioni ndërkombëtar”, komentoi Hill, që është një ambasador veteran e njohës i mirë i zhvillimeve të rajonit.
Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti e ka shtyrë për 48 orë vendimin për nisjen e fazës së gjobitjes së ngasësve me targa ilegale serbe. E gjitha erdhi pas kërkesës së ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkroi të hënë Kurti në Twitter.
Kjo shtyerje prej 48 orësh do të skadojë nesër në mëngjes, gjersa Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës, po qëndron sot në Bruksel, në një përpjekje tjetër për të arritur marrëveshje për çështjen e targave.
“Sot në Bruksel ndodhet Besnik Bislimi dhe mbase do të ketë një takim në përpjekje që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi, ne kemi vullnetin e mirë dhe qëllimin për një marrëveshje. Nuk kemi as hatër mbetje dhe as inate, nuk sillemi me cinizëm e as ironi por me të vërtetën dhe të drejtën tonë” – deklaroi Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
I pyetur në lidhje me një çështje të tillë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte kërkuar të dinte se çka ndodhte pas shtyrjes së këtij afati.
"Ne kemi kërkuar ta dimë se çka ndodh në gusht 2023 (pas 10 muajsh shtyrje), nuk ka pasë përgjigje (nga BE dhe ShBA)" - theksoi ai.
Ndryshe, sot u njoftua se çështja e liberalizimit të vizave është hequr nga diskutimi pas zhvillimeve të fundit në veri.
"Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale"- tha Presicenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje, raporti REL në mëngjes.


