E konfirmon Kurti: Bislimi është në Bruksel për targat, është koha e hapave të mëdhenj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se zëvendëskryeministri i parë i vendit Besnik Bislimi ka udhëtuar në Bruksel për targat.
Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti deklaroi se Bislimi do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe përfaqësuesin e Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq.
“Sa i përket zhvillimit rreth targave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është tanimë në Bruksel. Dje e kemi shtyer për 48 orë zbatimin e fazës së dytë, po vazhdojmë ende me qortime dhe vërejtje, kemi 2000 sosh, nuk kemi asnjë ankesë, e kemi bërë këtë për t’i dhënë mundësi arritjes së një marrëveshje që ishte afër të ndodhte në Bruksel”, tha Kurti.
“Jemi treguar konstruktiv, aktiv dhe kreativ. Kjo nuk vlente për palën tjetër. Kështu do të ndodhë edhe sot edhe mes Bislimit, Lajçak e përfaqësuesve të mëdhenj. Nuk është koha e hapave të vegjël, është koha e hapave të mëdhenj. Ne jemi të gatshëm që propozimi i Gjermanisë, Francës, Evropës e Amerikës, të vendoset në tavolinë një orë e më parë”, tha ai.