Borell nga Spanja: Kosova dhe Serbia u pajtuan që të implementohen marrëveshjet e kaluara
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell është deklaruar sërish rreth marrëveshjes së arritur mbrëmjen e së mërkures mes Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me targat. Kryediplomati, sërish, theksoi se palët kanë pranuar që ta vendosin në praktikë, atë që është vendosur vite më parë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian po qëndron në Spanjë, ku po merr pjesë në një forum. Derisa po fliste para mediave, ai u pyet edhe për marrëveshjen e arritur mbrëmë.
“Kjo nuk është një pyetje, janë shumë pyetje dhe asnjëra nuk ka të bëjë me takimin e sotëm. Nuk e di nëse kolegët më lejojnë të përgjigjem. BE-ja ka qenë më shumë e përfshirë, është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë gjatë orëve të fundit. Jam shumë i lumtur për marrëveshjen, sepse kemi luftuar që nga gushti që të arrijmë një marrëveshje. Ishim gati ta arrijmë të hënën, nuk ishte e mundur, por 48 orë më vonë jam i lumtur të them se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë arritën marrëveshje”, deklaroi ai.
Borell tutje tha se derisa po udhëtonte për Barcelonë, e njoftoi një prej ministrave spanjoll për arritjen e marrëveshjes, për të cilën theksoi se “u bë falë Bashkimit Evropian”.
“Dje madje, kur isha duke ateruar për në Barcelonë, ndava me ministrin spanjolli se pati një marrëveshje, falë Bashkimit Evropian dhe emisarit që është i ngarkuar me këtë. Dy palët kanë arritur një marrëveshje dhe kanë pranuar një propozim që është i bazuar në depërshkallëzimin e krizës dhe për t’u fokusuar në atë që është me të vërtetë e rëndësishme, që është për të pasur marrëdhënie normale mes tyre”, tha tutje kryediplomati evropian.
Në fund, ai përmendi se të dyja palët kanë pranuar dhe janë të përkushtuara që t’i implementojnë marrëveshjet e arritura vite më parë.
“Të dyja palët kanë pranuar dhe janë të përkushtuara te ajo që është vendosur vite më parë, duhet të vendoset në praktikë. Marrëveshjet e kaluara po ashtu, duhet të implementohen”, tha ai.
Në fund, Borell paralajmëroi se do të rifillojnë diskutimet për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, derisa foli edhe rreth planit franko-gjerman.
“Ditët në vazhdim, unë do të kontaktoj Brukselin prap, do të kontaktoj me të dy palët që të rinisin diskutimet për procesin e normalizimit. Është një marrëveshje e rëndësishme për të parandaluar një krizë tjetër, që do të mund të shkaktonte shumë dhunë në veri të Kosovës. Me përkrahjen e ndërkombëtarëve, tani do të flitet për një propozim që është vendosur në tavolinë pas gushtit, që ka përkrahjen e plotë të Francës dhe Gjermanisë”, tha ai në fund.
Çfarë ndodhi mbrëmë?
Në orët e mbrëmjes të së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për targa.
Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.
Siç shkroi shefi i diplomacisë evropiane, ditëve të ardhme do të ketë edhe diskutime të tjera.
Megjithatë, detaje interesante janë parë në marrëveshjen e plotë të publikuar tashmë në media. Nga komunikata zyrtare e Brukselit bëhet e ditur se palët do t'i respektojnë në tërësi marrëveshjet e mëparshme.

Paragrafi i dytë i pikës së tretë thotë qartë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen.
"Palët pranojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen", shkruan ndër të tjerash.
Veç kësaj, thuhet se evropianët do të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë.

