Bordi i emëruar nga Qeveria Kurti e largoi nga puna, Gjykata e kthen në detyrë gruan e heroit Ilaz Kodra
Gjykata Themelore në Mitrovicë raportohet se ka marrë vendim në favor të Kimete Kodrës, bashkëshortes së heroit Ilaz Kodra, për ta rikthyer në punë në Postën e Kosovës.
Mediumi “Paparaci” raporton se ka siguruar vendimin e gjykatës, ku thuhet se është vërtetuar që menaxhmenti i Postës ka shkelur kontratën e punës.
Sipas vendimit të datës 27 shkurt, Posta e Kosovës detyrohet t’ia kompensojë Kodrës diferencën në pagat e papaguara prej ditës së largimit, e deri në ditën e kthimit në vendin e saj të punës.
Po ashtu, Posta detyrohet që t’ia paguajë Kimete Kodrës shtatë mijë euro “në emër të dëmit jo material për dhimbje shpirtërore”.
“Gjithashtu është vërtetuar se vendimi i Postës për shqiptimin e masava disiplinore ishte në kundërshtim të plotë sipas ligjit të punës, rregulloret e brendshme e të paditurës, kontratën e punës, dhe me performancën e kënaqshme të paditëses për arsyese paditësja edhe në datën e pretenduar me vendimin e kundërligjshëm ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj ashtu që asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në keqpërdorimin e mjeteve financiare të Jute Credites”.
“Po ashtu është vërtetuar se nuk qëndron as pretendimi i të paditurës së paditësja ka qenë përgjegjëse për rastin e Veli Malës pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor e paditura nuk kishte ofruar asnjë provë se i njëjti kishte fshehur apo ishte shpallur përgjegjës nga komisioni disiplinor i të paditurës.” – thuhet në vendim sipas tyre.
Vlen të theksohet se Kodra ishte suspenduar prej punës nga Bordi i emëruar nga Qeveria Kurti, e cila atë kohë, punonte si Koordinatore e Zyrave të Postës në Skënderaj.