Bojkoti i referendumit të 21 prillit nga Lista Serbe, hapi i radhës nga Serbia për të zvarritur procesin e dialogut - NACIONALE

Bojkoti i referendumit të 21 prillit nga Lista Serbe, hapi i radhës nga Serbia për të zvarritur procesin e dialogut

1 javë më parë

nga NACIONALE

Thirrja e Listës Serbe për të bojkotuar referendumin e 21 prillit, i cili ka për qëllim largimin e kryetarëve aktual në veri, ka nxitur reagime të shumta vendore dhe ndërkombëtare. Një veprim i tillë është parë si hap në shërbim të interesave të Serbisë në procesin e dialogut të Brukselit.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se bojkotimi i këtij procesi nga subjekti kryesor politik serb është hapi i radhës nga Serbia për të zvarritur procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Analisti Visar Ymeri ka thënë se kjo tregon se Serbia nuk është e interesuar për suksesin e dialogut të Brukselit.

Qartazi Serbia nuk është e interesuar me pasë normalitet në Kosovë, por as me i normalizu marrëdhëniet e as me vazhdu procesi i dialogut dorën ne zemër. Këtë e ka bërë të qartë edhe presidenti serb Vuçiq, se pa u ky zgjedhjet në SHBA dhe potencialisht nëse atje kthehet kandidati për president z. Trump, ai nuk është i interesuar me vazhdu me procesin e dialogut. Fatkeqësisht e ardhmja politike e veriut nuk po duket që ka me qenë pa Listën Serbe. Edhe pse mendojmë të gjithë se i dashtë me kanë pa Listën Serbe, por nuk po duket ashtu”, ka thënë Ymeri në emisionin “DebatPlus”.

Ai ka treguar se palët nuk kanë interesa të njëjta nga ky veprim.

Më shumë unë jam me e pa këtë si element të zvarritje se dialogut, siç na u kanë lexu edhe qeverisë sonë shumë prej veprimeve, përfshirë këtë për dinarin dhe në këtë drejtim me pa qysh nëse të dyja palët po duan ta zvarrisin dialogun a e kanë interesin e njëjtë të dyja palët me zvarritjen e dialogut? Domethënë a e ka interesin e njëjtë Kosova prej zvarritje se procesit të dialogut siç e ka Serbia? E për Serbinë po pajtohemi që e ka”, është shprehur Ymeri.

Më tej, ai ka treguar se pse Serbisë i konvenon zvarritja e këtij procesi.

Unë mendoj se Serbisë i konvenon më shumë zvarritja, sepse shpreson se mund të kthen presidenti Trump dhe me presidentin Trump sikurse herën e kaluar Serbia mundet me e pasë një tjetër lloj dialogu për me e plotesu një kërkesë që Vuçiqi e ka shumë më për zemër, pra me e marrë një pjesë të Kosovës”, është shprehur Ymeri.

Moslargimi i kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore mund t`i sjell Kosovës probleme edhe në një drejtim.

Largimi i kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është njëri ndër dy kushtet e BE-së për të ia hequr Kosovën masat ndëshkuese, që ia ka vendosur në qershor të vitit kaluar.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka bërë të qartë se pa zgjedhje të reja në veri nuk pritet te hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Reagimi im i menjëhershëm pas Banjskës ishte thirrja për heqjen e masave për hir solidariteti. Kam pasur shumë diskutime për këtë temë brenda strukturave të BE-së, por edhe me shtetet anëtare dhe jo të gjithë e ndanin pikëpamjen time, pasi që ndjenja e ndarë nga shumë anëtarë është se BE-ja dëshiron të shohë një sinjal të qartë pozitiv nga qeveria e Kosovës. Një nga ato opsione që sigurisht do të konsiderohej si sinjal pozitiv ishte mundësimi i zgjedhjeve të reja të shpejta lokale në veri të Kosovës dhe mënyra më e shpejtë vazhdon të jetë dorëheqja e kryetarëve të komunave. Një sinjal tjetër pozitiv do të ishte dërgimi i Draft Statutit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk ka ndodhur”, ka thënë Lajçak në një intervistë për gazetën Nacionale.

QUNT-i i shqetësuar

Shtetet e QUINT-it janë shprehur të shqetësuar me mundësinë e bojkotimit të referendumit në fjalë.

Përmes një komunikate për media, këto vende mbrëmë kanë kërkuar nga Lista Serbe të marrë pjesë në votimin për largimin e kryetarëve që është paraparë me datën 21 prill.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë pranojnë se, në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Në këto votime vijnë si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në nisje të komunikatës.

Ata kanë shprehur keqardhje për thirrjet që bëhen që ky proces të bojkotohet.

Na vjen keq për deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryebashkiakut. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet më tutje.

Sipas shteteve të QUINT-it, bojkotimi i këtyre votimeve nuk sjell asnjë rezultat pozitiv për serbët e Kosovës.

Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Mirëpo, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Srpska dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, theksohet në komunikatë.

Lajme të ngjashme