Kryeministri australian e quan Muskun “miliarder arrogant” - NACIONALE

Kryeministri australian e quan Muskun “miliarder arrogant”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, e ka quajtur amerikanin Elon Musk “miliarder arrogant” në një përplasje që po eskalon për shkak të ngurrimit të rrjetit X për t’i larguar pamjet e një therjeje në kishë.

Të hënën, një gjykatë australiane e urdhëroi rrjetin e Muskut që t’i fshehë videot e sulmit të javës së kaluar në Sydney, raporton televizioni BBC.

Rrjeti X më parë kishte thënë se do t’i zbatonte masat, “në pritje të një sfide ligjore”.

Kritikat e kryeministrit Albanese erdhën pasi Musku përdori një “meme” për ta akuzuar qeverinë australiane për censurë.

Të martën, Albanese i tha televizionit “ABC News” se Musku “mendon se ai është mbi ligjin, por gjithashtu mbi mirësjelljen e përbashkët”.

Javën e kaluar, Komisionari i Sigurisë Elektronike, rregullator i pavarur, i kërcënoi rrjetin X dhe rrjetet e tjera sociale me gjoba të majme, nëse nuk i largojnë videot e therjes në një kishë, rast që policia e ka cilësuar sulm terrori.

Rrjeti X ka argumentuar se urdhri “nuk është brenda fushës së ligjeve australiane”.

Komisionari kërkoi një urdhër gjykate, pasi tha se ishte e qartë se rretji X po u lejonte përdoruesve jashtë Australisë që të vazhdonin t’i përdornin pamjet.

“Më duket e jashtëzakonshme që X zgjodhi që të mos e respektojë [urdhrin] dhe po mundohet ta argumentojë versionin e vet” – tha kryeministri australian në një konferencë për gazetarë.

Rrjeti X dhe Komisionari i Sigurisë Kibernetike tashmë janë të përfshirë në procedura ligjore për shkak të dështimit të dyshuar të kompanisë së Muskut për të ofruar të dhëna se si i përcjell dhe i largon materialet me abuzim fëmijësh në internet.

Lajme të ngjashme