Blloku A3 ndalon prodhimin pas mesnatës - zëdhënësi i KEDS-it thotë se s'do të ketë reduktime
Njësia A3 e Termocentralit Kosova A po përballet me probleme teknike, kësisoj sonte pas mesnatës pritet të nxirret nga funksioni edhe blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës, e cila njoftoi se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore.
"Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore. Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike" - thuhet në njoftim.
Si rezultat i rënies së blloqeve në muajin gusht, qytetarët e Kosovës u përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
Ndonëse po raportohet për rikthim të reduktimeve pas rënies nga funksioni të këtij blloku, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i ka thënë Nacionales se nesër nuk do të ketë reduktime me energji elektrike.
Kujtojmë që situata me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të jetë kritike, derisa situata në KEK vazhdon të bëhet gjithnjë e më dramatike duke shkuar drejt dimrit.
Blloku B1 u rikthye në punë pak ditë më parë dhe që atëherë, prodhimi i këtij blloku ka tejkaluar kërkesën dhe furnizimi me energji elektrike u rikthye në normalitet.
Para një muaji, në Kosovë nisën reduktimet të cilat zgjatën rreth dy javë.
Fillimisht, qytetarët nuk kishin energji elektrike nga dy orë në ditë, por me kalimin e kohës, në disa vende pati reduktime nga tre e katër orë.
KEDSI kishte njoftuar atë kohë se kjo ndodhi pasi që nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.
“KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhej ndër të tjerash në komunikatë.
Kosova për disa ditë siguroi energji elektrike nga Shqipëria, më pas kaloi në një krizë më të thellë, deri kur u rregulluan blloqet.
Për çështjen e energjisë elektrike, Kurti zhvvilloi këtë javë një vizitë në Shqipëri krejt e paparalajmëruar, ku takoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Ndërkaq, për krizën energjetike të Kosovës, kishin shkruar edhe disa prej mediave më prestigjioze në botë, si Reuters dhe The Guardian.

