Blinken mirëpret Zelenskyn me paketë të ndihmës ushtarake prej 1.85 miliardë dollarësh
Ndërsa Shtëpia e Bardhë është duke u përgatitur për pritjen e Zelensky-t, sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken ka lëshuar një deklaratë për vizitën e tij duke përshkruar ndihmën e re ushtarake.
Sipas CNN, Blinken ka konfirmuar se ShBA-ja do t'i sigurojë Ukrainës sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore Patriot për ta ndihmuar kundër sulmeve raketore të Moskës. Ndërsa, është bërë e ditur se paketa e fundit arrin në një total vlere prej 1.85 miliardë dollarë.
“Asistenca e sotme përfshin për herë të parë Sistemin e Mbrojtjes Ajrore Patriot, i aftë për të rrëzuar raketat e lundrimit, raketat balistike me rreze të shkurtër dhe avionët në një tavan dukshëm më të lartë se sistemet e mbrojtjes ajrore të ofruara më parë”, ka thënë ai.
Blinken po ashtu ka shtuar se ShBA synon të vazhdojë të punojë ngushtë me "më shumë se 50 aleatë dhe partnerë në mbarë botën në mbështetje të popullit të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre me guxim të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të pakufishme".
Ai ka përfunduar fjalën duke thënë se: “Vetëm Rusia mund t'i japë fund kësaj lufte sot. Derisa ta bëjë këtë, ne qëndrojmë të bashkuar me Ukrainën".

