Sistemi Patriot në Ukrainë: Rusia paralajmëron ShBA-në për “pasoja të paparashikueshme” - NACIONALE

Sistemi Patriot në Ukrainë: Rusia paralajmëron ShBA-në për “pasoja të paparashikueshme”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas njoftimit se ShBA është në prag të finalizimit të planit për dërgimin e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, ka reaguar ambasada ruse në Uashington, duke thënë se “çdo dërgesë e raketave amerikane Patriot në Ukrainë mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe të kërcënojë sigurinë globale”.

“Nëse kjo konfirmohet, ne do të jemi dëshmitarë të një hapi tjetër provokues nga administrata Biden, që mund të çojë në pasoja të paparashikueshme”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Ruse.

Sipas CNN, në deklaratë më tej shtohet se dërgesat e vazhdueshme të armëve në Ukrainë "vetëm do të forcojnë ndjenjën e mosndëshkimit të regjimit Zelensky dhe do ta shtyjnë atë në krime të reja kundër civilëve" në katër rajone të Ukrainës që Rusia pretendon se i ka aneksuar.

Deklarata ka kritikuar gjithashtu mbështetjen e ShBA-së për Ukrainën, duke thënë se: "Strategjia e Uashingtonit shkakton dëme të mëdha jo vetëm në marrëdhëniet ruso-amerikane, por gjithashtu krijon rreziqe shtesë për sigurinë globale".

Ndërkohë, duke folur më heret gjatë ditës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov është shprehur se çdo raketë Patriot e dërguar në Ukrainë do të ishte objektivë legjitime për forcat ruse, por ai ka shtuar se plani i ShBA-së nuk ishte konfirmuar ende.

Sipas agjencise shtetërore të lajmeve TASS, edhe zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, ka thënë të enjten se dërgesa e mundshme e Uashingtonit do të rriste rrezikun e përfshirjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane në konfliktin ukrainas.

"Më 13 dhjetor, ShBA njoftoi synimin e saj për të furnizuar Ukrainën me një bateri raketore të mbrojtjes ajrore Patriot. Më herët, shumë ekspertë, përfshirë ata jashtë shtetit, vunë në dyshim racionalitetin e një hapi të tillë që do të çonte në një përshkallëzim të konfliktit dhe do të rriste rrezikun e tërheqjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane në luftime”, është shprehur Zakharova, duke shtuar se të gjitha armët e furnizuara nga Perëndimi në Ukrainë janë objektiva legjitime ushtarake për Forcat e Armatosura të Rusisë dhe do të eliminohen ose do të kapen.

Lajme të ngjashme