Erdogani do treshe bashkëpunimi me Rusinë e Sirinë, e kritikon ShBA-në
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e shprehu të enjten gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Rusinë dhe Sirinë për përpjekjet e vendit të tij kundër terrorizmit.
“Tash për tash, ne duam që të bëjmë një hap me Sirinë dhe Rusinë, si treshe. Për këtë, së pari, duhet të bëhen bashkë organizatat tona të inteligjencës, pastaj ministrat tanë të mbrojtjes dhe, pastaj, ministrat tanë të jashtëm duhet të takohen”- u tha presidenti turk gazetarëve në aeroplan gjatë kthimit nga Turkmenistani.
Duke thënë se edhe udhëheqësit e Turqisë, Rusisë e Sirisë mund të takohen për bisedime pas takimit të zyrtarëve të inteligjencës, mbrojtjes e punëve të jashtme, Erdogani shtoi se homologu rus, Vladimir Putin, e ka mirëpritur propozimin e tij gjatë bisedës së fundit telefonike mes dy udhëheqësve.
Pasi tha se organizimi terrorist është aktiv në Siri, sidomos në pjesët veriore të saj, presidenti turk tha se vendi i tij do t’i marrë punët në duart e veta, nëse shtetet si ShBA-ja vazhdojnë të ofrojnë “mijëra kamionë të mbushur” me armë, municion, pajisje e mjete për terroristët në Siri.