Bislimi pas intervistimit nga Prokuroria: Isha në cilësi të dëshmitarit, qëllimi i prokurorisë të më bëjë lajm medial
“Isha në cilësi të dëshmitarit”, tha Besnik Bislimi në një shkrim në Facebook pas intervistimit gati dyorësh në Prokurorinë Speciale për rastin “Peci” në çështjen me funksionalizimin e Fabrikës së Mbetjeve Shtazor.
Bislimi akuzoi prokurorinë se “qëllimi” ishte që ai të bëhej lajm medial dhe se pyetjet e drejtuara ndaj tij “nuk mund të cilësohet si pyetje të drejtuara ndaj një dëshmitari”.
Zëvendës Kryeministri në detyrë u implikua në rastin "Peci" nga vetë Faton Peci, i cili në disa paraqitje të tij mediatike pati thënë se kërkesa për funksionalizimin e kësaj fabrike ësht kërkuar nga Besnik Bislimi.
Bislimi u ankua se ndërtesa e Prokurorisë Speciale "ishte vërëshuar nga portalet" gjë që, sipas tij, "nuk ndodh në raste të tjera kur ftohen dëshmitarët" - duke e barazuar veten si i dyti i shtetit në ekzekutiv me çfarëdo dëshmitari.
"Qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”", tha Bislimi.
"Sot isha në prokuri i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Poashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian", tha ai.
"Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet", përfundoi Bislimi.
Prokuroria Speciale u deklarua pas intervistimit të zëvendës kryeministrit Besnik Bislimin “në cilësinë e dëshmitarit” në kuadër të hetimeve që po zhvillohen rreth rastit “Peci” për Fabrikën e Mbetjeve Shtazore.
Prokuroria tha se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e të gjitha provave për zbardhjen e rastit.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z.Besnik Bislimi.
Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve. PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret”, thanë Prokuroria Speciale.