Bislimi harron zotimin për dorëheqje, vazhdon zellshëm negociatat për Asociacionin
Dikur Besnik Bislimi ishte zotuar se nëse Qeveria Kurti e ndryshon qëndrimin për Asociacionin, ai do të jepte dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit. Tani ai ka harru këtë zotim dhe po i vazhdon negociatat me Serbinë në Bruksel për formimin e Asociacionit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka ndërruar fjalët për Asociacionin sikurse kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Ndonëse nuk e ka ndikimin e Kurtit dhe Konjufcës, ai kishte dhënë deklarime të forta për Asociacionin.
Në kohen kur zyrtarët e lartë institucionalë bënin garë se kush po e kundërshton më shumë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë, Bislimi kishte thënë fjalë të madha.
Në një intervistë në “Debat Plus”, ai ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim për këtë çështje do të jepte dorëheqje.
Ai ishte zotuar se do të largohej nga posti edhe nëse flitej për Asociacion me kompetenca jo ekzekutive.
“Në atë moment kur Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin. Edhe thotë se do të krijohet Asociacioni”, qoftë edhe me kompetencs jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog. Ndoshta dikush tjetër vjen dhe e bën”, kishte thënë zv. kryeministri Bislimi.
Bislimi tani vazhdon negociatat për Asociacion
Zëvendëskryeministrit Bislimi më nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e më hershme.
Duke i harruar zotimet e tij, ai ka vazhduar të martën bisedimet me në Bruksel me homologun e tij serb Petar Petkoviqin. Nder të tjera, në këtë takim është diskutuar edhe për hapat drejt formimit të Asociacionit.
Pas takimit, Bislimi ka lënë të kuptohet se kanë diskutuar për draft-statutin e Asociacionit.
“Sot gjatë ditës patëm disa takime bilaterale e në fund edhe takimin trilateral me Miroslav Lajçakun e Petar Petkoviqin, ku patëm dakordim fillestar që takimi i radhës i nivelit të lartë të mbahet më 22 prill. Por në momentin e fundit nuk është aq e sigurt, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë. Po shqyrtojmë datë alterantive. Ideja është me këtë datë të prezantohet një draft-fillestar i Grupit të Menaxhmentit. Ka pak paqartësi se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht e si duhet të prezantohet”, ka thënë Bislimi.
Kurse, kryenegociatori serb Petar Petkoviq ka qenë më konkret.
Pas takimit, ai ka thënë se kanë diskutuar hapat konkret rreth formimit të Asociacionit.
“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”- ka thënë Petkoviq.
Ndaj këtij takimi ka reaguar ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se duke biseduar për Asociacion, Qeveria po e cenon sovranitetin e Kosovës.
“Qeveria Kurti cenoi sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës duke biseduar me Serbinë në Bruksel për zbatimin e Asociacionit. Çështjet e brendshme të shtetit nuk bisedohen me shtet tjetër dhe as me ndërmjtësim ndërkombëtar. Kjo shkelje të sovranitetin dhe Kushtetutës së Kosovës është saksionuar në Marrëveshjen zbatuese të Ohrit ku në pikën 7 përcaktohet se zbatimi i Asociacionit dhe vetmenaxhimit autonomisë për pakicën serbe bëhen me ndërmjetësimit të BE-së. Madje edhe me keq kjo pikë e faktorizon pakicën serbe ndërkombëtarisht e cila u bë palë me shtetin e Kosovës dje në Bruksel me ndërmjtësimin e BE-së”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, në këtë mënyrë Serbia po ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës.
“Si pasojë, Serbia dje jo vetëm ndërhyri në punët e brendshme të shtetit të Kosovës por i dha ultimatum Kosovës që për 20 ditë ta hartoj draftin e statutit të Asociacionit. Kryenegociatori Bislimi dje u mundua dëshprimisht të mashtroi opininionin duke iu shmangur pranimit të këtij fakti. Madje nuk guxoi ta përmend se draft statuti i Asociacionit do ti shkoj Gjykatës Kushtetuese së Kosovës të cilën e kërkon Marrëveshja e Asociacionit e vitit 2015, gjë për të cilën është zotuar Qeveria Kurti ta zbatoj me pranimin e Marrëveshjes zbatuese në Ohër më 18 mars”, ka vlerësuar Tahiri.
Me Planin e BE-së dhe aneksin e zbatimit të tij, Kosova ka marrë obligim që t`i zbatoje të gjitha marrëveshjet që janë arritur me Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Një gjë të tillë e ka konfirmua edhe kryeministri Albin Kurti.

