Bislimi bashkë me Liburn Aliun në Mal të Zi, nuk përmendet Demarkacioni - NACIONALE

Bislimi bashkë me Liburn Aliun në Mal të Zi, nuk përmendet Demarkacioni

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka njoftuar në Facebook se është pritur nga zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Ervin Ibrahimovic.

Bislimi ka thënë se bashkë me ministrin Liburn Aliu kanë biseduar për projekte të shumta, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.

Tutje Bislimi ka thënë se ndamë eksperiencat rreth procesit të integrimit evropian pas edhe aplikimit tonë për anëtarësim në muajin dhjetor. Vlerësojmë mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Por ajo se çfarë nuk u përmend ishte demarkacioni me shtetin fqinj, Malin e Zi.

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015. Mirëpo deri te ratifikimi në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.

Në atë kohë, opozita kundërshtoi demarkacionin përmes protestave dhe gazit lotsjellës në Kuvend.

Kjo marrëveshje u shndërrua në një ndër kushtet kryesore të shtetit të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe nuk u votua nga deputetët deri në momentin kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviç nxorën një deklaratë të përbashkët e cila parasheh rishikimin dhe përmirësimin e gabimeve eventuale.

Në Podgoricë, bashkë me ministrin Aliu, u pritëm sot nga zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Ervin Ibrahimovic.

Biseduam për projektet e përbashkëta, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.

Ndamë eksperiencat rreth procesit të integrimit evropian pas edhe aplikimit tonë për anëtarësim në muajin dhjetor. Vlerësojmë mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës. Nga Mali i Zi mund të përfitojmë bashkërisht nga eksperienca në proces dhe të ecim drejt objektivit të përbashkët të aderimit në familjen evropiane. Kosova dhe Mali i Zi përkasin në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu u përmendën dhe projektet infrastrukturore ku do të punojmë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, projekte këto të shumëpritura për qytetarët e të dyja vendeve, me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë. Këto projekte do të lehtësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi. /Nacionale/

Lajme të ngjashme