Bisedimet për targat: Qeveria po tregohet “servile” ndaj BE-së e “kryeneçe” ndaj ShBA-së
Përpjekja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për të biseduar me BE-në dhe me Serbinë për çështjen e targave, po konsiderohet si veprim i gabueshëm i Kosovës.
Njohësit e rrethanave politike në vend dhe përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës po e injoron kërkesën e ShBA-së për shtyrjen e afatit për targat ilegale dhe po e negocion këtë çështje me Brukselin dhe me Beogradin.
Sipas tyre, me këto veprime, Qeveria po tregon servilitet ndaj BE-së dhe po shfaqet kryeneçe ndaj ShBA-së.
Analisti Afrim Kasolli ka thënë se një sjellje e tillë tregon shumë për qëndrimin e kësaj qeverie ndaj ShBA-së.
“Nëse është e vërtetë kjo që po thuhet në media se Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje në Bruksel, në prani të M. Lajçakut, për shtyrjen e afatit për targat, por që të njëjtit e kanë refuzuar një kërkesë të tillë të bërë nga përfaqësuesit e ShBA-së, madje duke e quajtur të njëjtën kërkesë personale të zyrtarëve të atij shteti dhe jo qëndrim shtetëror, nuk ka si shpjegohet ndryshe pos pasojë e qëndrimit të kësaj qeverie për rolin "imperialist" të ShBA-së dhe servilitetit të pakusht ndaj zyrtarëve të BE-së”- ka shkruar Kasolli në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, sjellja e Qeverisë së Kosovës ndaj ShBA-së është një gabim i madh.
“Lëndimi i raporteve me sponsorin kryesor të shtetësisë së Kosovës dhe përulja neveritëse ndaj eurokratëve të Brukselit është një gabim fatal, që mund t'i kushtojë shumë Kosovës”- ka shkruar ai.
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, është shprehur i shqetësuar me orientimin e politikës së jashtme së Kosovës për këtë çështje.
Ai ka thënë se Qeveria po u jep prioritet raporteve me BE-në.
“Nga një këndvështrim ndryshe i situatës dhe zhvillimeve të ditëve të fundit, mund të vijmë në përfundim se liderët opozitarë, Krasniqi dhe Abdixhiku, e shohin relacionin me ShBA-në si prioritar, prandaj edhe kemi këtë vizitë në ShBA, ndërsa LVV në pushtet prioritet i jep relacionit me BE-në ( mos ta harrojmë deklaratën e KM se Kosova nuk është Meksikë). Dikush do të thoshte se ShBA-ja dhe BE-ja janë një, por kjo do të ishte një analizë shumë e cekët që trumbetohet nga një grup shoqëror që kupton shumë pak nga marrëdhëniet ndërkombëtare”- ka shkruar Ibrahimi.
Sipas tij, kjo qasje është e gabueshme.
“Injoroje ShBA-në dhe negocio me Borrellin tanimë është bërë mantra e politikës së jashtme të kësaj qeverie. Veç mos të harrojmë që kur mbetet në zor edhe Borreli e bën ShBA-në gjysh”- ka shkruar Ibrahimi.
Opozita e shqetësuar
Edhe përfaqësuesit e opozitës e kanë vlerësuar si të gabueshme qasjen e Qeverisë për të shkuar në Bruksel për të biseduar rreth targave.
Ata kanë thënë se Qeveria e ka marrë atë vendim dhe ajo duhet ta shfuqizojë atë.
Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova po e injoron kërkesën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe po i bën favor përfaqësuesit të BE-së.
“Mendoj se është gabim sot pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit në Bruksel për të diskutuar për targat në prezencë të z. Lajçak, ndërsa në anën tjetër kryeministri i thotë jo sekretarit amerikan”- ka thënë Haradinaj.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të reflektojë në raport me kërkesën e ShBA-së për targat.
“Nëse fuqia e zëvendëskryeministrit është për me negociu me Serbinë tërheqjen e vendimit për targat, unë një pyetje publike ia kisha bërë kryeministrit, se cili është roli yt në këtë proces? Domethënë, nëse sot zëvendëskryeministri shkon e diskuton me delegacionin serb për vendimin për targat, ndërsa amerikanëve u thuhet jo, është një gabim. Besoj që kryeministri është i vetëdijshëm, e di çfarë pozicioni politik ka dhe do të reflektojë”- ka thënë Haradinaj.
Kurse ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se me këtë qasje, Qeveria e ka futur Kosovën në qorrsokak.
“ShBA-ja, aleati ynë kryesor – i kërkon Qeverisë së Kosovës ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat, e këta shkojnë e takohen me Petkoviqin në Bruksel, Vendimi për targat është marrë nga Qeveria. Çfarë ka për t’u negociuar?! Fatkeqësisht, këta qeveritarë na kanë futur në qorrsokak sa i përket dialogut, e na kanë dëmtuar partneritetin me aleatët. Fundi nuk mund të jetë i mirë”- ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dje në Bruksel ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas takimit, ai ka treguar se nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë çështje. “Nuk ka asnjë marrëveshje. Nuk ka propozim të Bashkimit Evropian. Ka elemente që kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza, por nuk ka dakordim. Nuk e di çka ka me ndodhë të hënën, se jemi në bisedime”- ka thënë ai para gazetarëve.
ShBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimin për targat.
Përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë kërkuar që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet për 10 muaj për t`i dhënë hapësirë diskutimit për marrëveshjen finale në mes të dy vendeve.
Anulimet e disa vizitave të ministrave në ShBA po konsiderohen si sanksionet e para amerikane ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit po e refuzon kërkesën për targat ilegale.

