Bilanci aktual i humbjes së Kurtit që kërkoi 60%: Minus nëntë deputetë dhe 134 mijë vota më pak në preliminare - NACIONALE

Bilanci aktual i humbjes së Kurtit që kërkoi 60%: Minus nëntë deputetë dhe 134 mijë vota më pak në preliminare

4 javë më parë

nga NACIONALE

“Opozitës i duhet një humbje e re...”

Vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme me Vetëvendosjen që nguli këmbë të ketë president të vetin duke i mohuar vetes mandat solid qeverisës prej 51%.

487 mijë vota në tërësi i kishte marrë partia Vetëvendosje më 28 dhjetor të 2025, çka përbënte rezultatin më të thellë zgjedhor në historinë e pasluftës.

51.1% i zhbëri Albin Kurti për të shkuar në zgjedhje të sërishme të jashtëzakonshme, duke i kërkuar “mbi 60%” që ta ketë edhe postin e presidentit të vetin.

Në rezultatet e dhëna preliminare, Albin Kurti humbi 134 mijë vota dhe nëntë mandate deputetësh, ose në pikë të përqindjes ra nga 49.3 në 42.9%.

Tashmë llogaritet, pa u numëruar ende votat nga jashtë vendit, ato me kusht dhe me nevoja të veçanta, Vetëvendosja numëron 48 deputetë, njëjtë si në shkurt të 2025-ës.

LDK-ja mbajti votën identike me 28 dhjetorin. PDK-ja është në 21.1%, me 24 mandate të llogaritura. AAK-ja arriti 7.1%, duke shtuar dy mandate, gjithsej tetë deputetë.

Albin Kurti, pasi thirri tubim festues në shesh të Prishtinës, dha për të mirëqenë se mbetet "kryeministër në detyrë."

"Unë nesër në ora tetë dal në punë."

"Republikës së Kosovës i mungon Kuvendi. Fatkeqësisht blloku opozitar nuk shkojnë në punë. Ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar sa më shpejt të shkojnë në punë", tha Kurti.

"Në javët në vijim do të komunikojmë, do t'i takojmë dhe do të bisedojmë me të gjitha subjektet politike", shtoi ai.

Vjosa Osmani nuk priti shumë që të kërkojë ta bëjnë presidente. Ndonëse gjithë platformën e kishte kundër Kurtit, ajo i kërkoi votat e tij.

"Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente të 7-të të Republikës së Kosovës, kaq është përgjigja ime", deklaroi ajo.

AAK-ja korri rezultat të kënaqshëm prej 7% me afro 50 mijë vota. Haradinaj u shpreh falënderues dhe garantoi votuesit se "pas kësaj beteje elektorale jemi më të fokusuar se asnjëherë."

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, akuzoi Qeverinë Kurti për keqqeverisje, abuzim me resurse shtetërore dhe krijim të krizave të vazhdueshme.

Çitaku tha se mosdalja e rreth 200 mijë votuesve përbën "protestë zgjedhore" dhe tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar ndaj pushtetit aktual.

"Qeveria e Kurtit prodhoi zhgënjim të madh qytetar dhe kriza të vazhdueshme. Mosdalja e rreth 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar", deklaroi Çitaku.

Ajo shtoi se gara ka qenë e pabarabartë, duke akuzuar pushtetin për përdorim të parasë publike në funksion elektoral. Pa këto veprime, tha Çitaku, Kurti do të pësonte "fiasko edhe më të thellë politike."

Lajme të ngjashme