Bideni me fjalim të fuqishëm, duartrokitet nga opozita: Basti kundër Amerikës kurrë s’ka qenë i mirë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm të martën në mbrëmje në Kongres në atë që njihet si fjalimi i “Gjendjes së Unionit”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u mburr me vendet e reja të punës, me fuqizimin e demokracisë dhe bëri një paralajmërim për ata që e cenojnë integritetin e ShBA-së.
“Njerëz, rrëfimi i Amerikës është rrëfim i përparimit dhe qëndrueshmërisë, i lëvizjes gjithmonë përpara, i mosdorëzimit asnjëherë. Është një rrëfim unik në mesin e të gjitha kombeve. Ne jemi vendi i vetëm që ka dalë nga çdo krizë që kemi hyrë më të fuqishëm sesa kur jemi futur në të”- tha presidenti amerikan.
“Populli na ka dërguar një mesazh të qartë. Luftimi për hir të luftimit, pushteti për hir të pushtetit, konflikti për hir të konfliktit nuk na çojnë askund. Ky ka qenë gjithmonë vizioni im për vendin: ta kthej shpirtin e kombit, ta rindërtoj shtyllën e Amerikës – klasën e mesme – dhe ta bashkoj vendin. Jemi dërguar këtu që ta kryejmë punën”- shtoi ai.
Megjithatë, sfidat për presidentin janë të shumta: pasiguria ekonomike, lufta lodhëse në Ukrainë, tensionet në rritje me Kinën e disa të tjera. Shenjat e traumës së të kaluarës në Capitol ishin të pashmangshme: ndërtesa ishte e rrethuar me një rrethojë të lartë, ndërsa ligjvënësit dhe pjesëmarrësit e tjerë u ballafaquan me masa më të rrepta të sigurisë se zakonisht, raporton agjencia “Associated Press”.
Që nga fillimi i fjalimit, dallimet e qëndrimeve të dy partive ishin të qarta. Demokratët, përfshirë nënpresidenten Kamala Harris, u ngritën në këmbë dhe duartrokitën, kur Bideni e nisi fjalimin. Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve nga Partia Republikane, Kevin McCarthy, edhe pse e përshëndeti ngrohtësisht presidentin, kur ky hyri në sallë, qëndroi ulur. Disa ligjvënës të opozitës e kundërshtonin kohë pas kohe presidentin dhe në sallë u dëgjua edhe fjala e thënë me zë të lartë, "gënjeshtar".
Presidenti e mbajti fjalimin tradicional, kur vetëm çereku i amerikanëve të rritur thonë se gjërat janë në drejtimin e duhur, sipas një ankete të re të agjencisë “Associated Press” dhe të Qendrës NORC për Hulumtime të Çështjeve Publike. Rreth tre të katërtat thonë se gjërat janë në drejtimin e gabuar dhe shumica e demokratëve nuk duan që Bideni të kandidojë përsëri për president.
Bideni mori duatrokitje nga ligjvënësit e të dyja partive, kur tha se shumica e zyrtarëve të sundimit të ligjit janë “njerëzt të mirë, të denjë e të ndershëm”, por shtoi se “kur policët ose departamentet e policisë e shkelin besimin e publikut, duhet të mbahen përgjegjës”.
Ai u duartrokit fort edhe kur foli për rrezikun nga Kina, një balonë spiune e së cilës u rrëzua para disa ditëve nga forcat amerikane në hapësirën ajrore të ShBA-së. “Mos gaboni: siç bëmë të qartë javën e kaluar, nëse Kina e rrezikon sovranitetin tonë, ne do të veprojmë për ta mbrojtur vendin tonë dhe e bënë këtë”- tha presidenti Biden.
“Ata që vënë bast kundër Amerikës, po marrin vesh se sa gabim e kanë. Kurrë nuk ka qenë bast i mirë që të vësh bast kundër Amerikës. Kurrë”- tha më tej presidenti amerikan, duke marrë duatrokitje të fuqishme nga ligjvënësit e të dyja partive e brohoritje “ShBA, ShBA, ShBA!”.
