Bideni e përmbyll vizitën 4-ditore me një takim me Stoltenbergun e Nëntëshen e Bukureshtit - NACIONALE

Bideni e përmbyll vizitën 4-ditore me një takim me Stoltenbergun e Nëntëshen e Bukureshtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta përmbyllë vizitën 4-ditore në Poloni e Ukrainë me një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe me përfaqësuesit e grupit që njihet si Nëntëshja e Bukureshtit, i përbërë nga vendet lindore të NATO-s.

Nëntëshja e Bukureshtit ishte formuar si kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia më 2014. Përderisa lufta në Ukrainë po vazhdon, ankthi i këtyre shteteve mbetet i dukshëm. Shumë udhëheqës shqetësohen që Putini mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër vendeve të tyre, nëse arrin sukses në Ukrainë. Në këtë grup bëjnë pjesë Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania e Sllovakia, raporton agjencia “Associated Press”.

“Kur Rusia e nisi pushtimin, nuk po testohej vetëm Ukraina. E tërë bota u ballafaqua me një test për t’u mbajtur mend. Evropa po testohej. Amerika po testohej. NATO-ja po testohej. Të gjitha demokracitë po testoheshin”- tha presidenti amerikan në fjalimin e tij të martën në Varshavë.

Ai u takua të martën në Varshavë me presidenten moldave, Maia Sandu, e cila javën e kaluar pretendoi se Moska qëndronte pas një komploti për ta rrezuar qeverinë e vendit të saj përmes përdorimit të sabotuesve të jashtëm.

“Unë jam krenar që qëndroj me ju dhe me popullin e Moldavisë, i cili e do lirinë”- tha Bideni për shtetin e vogël evropian.

Fjalimi i Bidenit në Poloni u mbajt një ditë pas vizitës së befasishme në Ukrainë dhe vetëm disa orë pas një fjalimi të homologut rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin mposhtjen e Ukrainës nga Rusia.

Shtëpia e Bardhë i ka çmuar përpjekjet e disa vendeve lindore të NATO-s, përfshirë Lituaninë, Poloninë dhe Rumaninë, vitin e kaluar për shtimin e veprimeve për ta përkrahur Ukrainën me armë dhe ndihma ekonomike si dhe duke pranuar refugjatë ukrainas në territoret e tyre.

Bideni u ka dhënë vëmendje të posaçme përpjekjeve të Polonisë. Ky shtet është duke mbajtur rreth 1,5 milion refugjatë ukrainas dhe është zotuar për ndarjen e 3,8 miliardë dollarëve për ndihma ushtarake e ekonomike për Ukrainën.

“E vërteta e çështjes është: Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Poloninë dhe NATO-n po aq sa NATO-ja ka nevojë për Shtetet e Bashkuara”- tha të mërkurën presidenti amerikan gjatë takimit me homologun polak, Andrzej Duda.

Lajme të ngjashme