Behramaj: Po rezervohem prej komentimit
Ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, banesa e të cilit u bastis sonte nga Ekipet Speciale, nuk ka dashur të flasë për media.
Në paraqitjen përballë këtyre të fundit, bashkë me avokatin e tij, Artan Qerkini, Behramaj tha se rezervohet prej komentimit.
"Po rezervohem prej komentimit. Ia kaloj fjalën avokatit", ka thënë Behramaj.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i tij, mes tjerash ka pohuar se banesa e klientit të tij u bastisë për një pretendim të Prokurorisë së Specializuar për një vepër penale.
“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara është bastisur banesa e zotit Adil Behramaj në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specilalizuar për një vepër penale e cila sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara.
Mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij. Mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural”, ka thënë ndër tjerash Qerkini.
