Bëhen tri orë në takim, raportohet se s'ka pajtim "për asgjë" deri tash, VV me kërkesë për KQZ - NACIONALE

Bëhen tri orë në takim, raportohet se s'ka pajtim "për asgjë" deri tash, VV me kërkesë për KQZ

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për më shumë se tri orë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbajti takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq nën lehtësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, duket se nuk do të ketë asnjë përparim derisa jemi në orët e fundit të fazës së qortimeve dhe kalimit në fazën e gjobitjes.

Sipas asaj që raporton një gazetë vendore, me anë burimesh, ky takim nuk ka prodhuar rezultate.

“Gazeta 10 nga burime ndërkombëtare ka mësuar se “për temat e ngritura në Bruksel rreth kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës, anulimin e vendimit për targat dhe Asociacionin – nuk ka pasur pajtimm,” – thotë kjo gazetë.

Burimi në fjalë ka thënë se “palët nuk kanë shfaqur gatishmëri për asgjë...”

Gazeta Nacionale deri në këtë moment nuk ka arritur të konfirmojë këto pretendime.

Besohet që për t’i lejuar hapësirë këtij takimi, në prag të kalimit të fazës së qortimit drejt gjobitjeve që mund të rris tensionet në veri, është shtyrë afati për një ditë.

Edhe mediumi serb Alo - i afërt me presidentin serb Vuçiq - ka raportuar se "Kurti ka refuzuar çdo kompromis, negociatat janë ende në vazhdim".

Në anën tjetër, dje presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq kishte retorikë mjaft të ashpërsuar duke u shprehur mes tjerash edhe si vijon:

“Tani serbët e kanë kuptuar se nuk ka marrëveshje më atë njeri," – kishte thënë ai për mediet serbe.

Në anën tjetër, pala kosovare ka qenë krejtësisht e çinteresuar për të shtyrë afatin e zbatimit të vendimit për targa për 10 muaj, siç kishin kërkuar ShBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Zv. Kryeministri Besnik Bislimi ishte ankuar se nuk kishte marrë përgjigje kur kishte pyetur se çka ndodh pas dhjetë muajsh, në gusht të vitit 2023.

Një përgjigje e tillë nuk besohet që i ka ardhur as tash.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, besohet se do të mbajë një konferencë për medie pas këtij takimi.

Kurti me vete në Bruksel ka marrë zv. Kryeministrin Besnik Bislimi dhe kryediplomaten tonë, Donika Gërvallën.

Paraprakisht, ai është takuar me palën evropiane në një takim pa presidentin serb Vuçiq. Më pas është takuar edhe me këtë të fundit.

Por, informacionet zyrtare deri tash mungojnë.

Vlen të theksojmë se Vetëvendosje ka kërkuar nga KQZ shtyrjen e afatit për çertifikimin e partive politike në veri të vendit, në një informacion të fundit që i është konfirmuar gazetës Nacionale nga ky institucion. Ky zhvillim mund të jetë i lidhur me ato që po ndodhin në Bruksel në këto momente.

Lajme të ngjashme