Bedri Hamza tregon zotimin e dytë: Rritje 50% të pagave për shërbyesit civilë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka premtuar rritje 50 për qind të pagave për sektorin publik.
Në një video në rrjetin social Facebook, Hamza ka treguar masat në kuadër të zotimit të dytë të tij.
Hamza ka thënë se në muajt e parë të qeverisjes, pagat në sektorin publik do të rriten për 50%. Kjo rritje, sipas tij, garanton paga të dinjitetshme për të gjithë shërbyesit civilë dhe është shpërblim i duhur për shërbimin e tyre ndaj shtetit dhe qytetarëve.
“50% rritje të pagave në sektorin publik. 70% rritje të pensionit bazik. Rriten pensionet kontributdhënëse dhe përshkallëzohen sipas viteve të përvojës së punës. 50% rritje të përfitimeve për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët” - ka shkruar Hamza.