Bedri Hamza kandidat i PDK-së për kryeministër të Kosovës - NACIONALE

Bedri Hamza kandidat i PDK-së për kryeministër të Kosovës

1 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot pritet të propozojë Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Burimet e gazetës Nacionale, kanë bërë me dije se prezantimi i Hamzës do të bëhet në një konferencë për media, e cila do të mbahet në ora 15:00.

**

Derisa po shtohen zërat për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, partitë politike kanë filluar lëvizjet e para si përgatitje për to.

Nacionale mëson se Krasniqi propozimin e kandidaturës së z. Hamza do ta bëj sot në mbledhje të Kryesisë së PDK-së.

Emri i kryetarit të Mitrovicës dhe ish-ministrit të Financave, z.Bedri Hamza, ka kohë që është lakuar në opinionin publik si kandidat i mundshëm i PDK-së për kryeministër.

Ditët e fundit, kjo nuk është mohuar si mundësi, as nga vetë deputetë të PDK-së, të cilët nëpër një seri debatesh televizive, nuk e kanë përjashtuar si mundësi emrin e Z.Hamza në këtë kandidaturë.

Sipas statutit të kësaj partie, kandidat për kryeministër është kryetari i partisë – vetëm në raste kur ky i fundit, ia propozon partisë një emër tjetër si kandidat për kryeministër.

PDK mban mbledhjen e Këshillit Drejtues këtë të enjte. Kryetari i kësaj partie, z.Memli Krasniqi, në një konferencë për media dje, tha se ‘kjo mbledhje do të jetë si përgatitje për zgjedhje’.

“Mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues e kemi pasë më 3 shkurt. Kemi pasë për diskutime përr rugën para dhe nevojën për mobilizim karshi zgjedhjeve. Konform statutit të PDK-së dhe obligimieve që unë kam marrë, do të ketë një ri-organizim të kryesisë, do të ketë zgjerim të kryesisë dhe do të ketë një konsolidim të figurave të rëndësishme partiake që do të punojnë jo vetëm për të organizuar potencialin tonë të brendshëm por çka është më e rëndësishmja, për të ofruar para qytetarëve vizionin e PDK-së, përtej nesh, për të marrë besimin e tyre për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme”, tha dje z.Krasniqi.

Në një intervistë të para pak kohësh me z.Hamza, Nacionale e pati pyetur rreth zërave që qarkullonin për mundësinë e pozicionimit të tij në postin e kryetarit të PDK-së.

“Unë i falënderoj dhe shprehi mirënjohjen time deri në përulje për të gjithë ata. Jam pjesë e PDK-së që nga fillimi dhe gjithmonë e kam pasur mbështetjen e tyre dhe kam bërë përpjekje që të bëj maksimumin brenda kapaciteteve të mija në cilëndo pozitë që kam Unë kam respekt për të gjitha strukturat e PDK-së, por vendimet merren në kohen e duhur, bazuar në rrethanat dhe kjo është çështje që i takon te ardhmes”, deklaronte z.Hamza.

Kush është Bedri Hamza?

Bedri Hamza nuk shquhet si person i zhurmshëm. Ai e mundi me një fitore dërrmuese – pa zhurmë – kandidatin më të fortë të Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale në Mitrovicë më 2021, Agim Bahtirin.

Në një fushatë ku kishte përballë krejt udhëheqësit e shtetit: Kryeministrin Kurti, Preisdenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, z.Hamza ia doli të arrijë një fitore prej 53.86%.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq me tetë komuna të rëndësishme në vend, ka kohë që merr kritika në opinionin publik, për një ‘lëngatë opozitare’.

Nxjerrja e emrave të pazhurmshëm si z.Bedri Hamza nga periferia dhe vendosja e tyre në qendër, aty ku edhe ishte dikur si një prej ministrave më të suksesshëm i Financave, konsiderohet si një lëvizje që do ta ndihmojë këndelljen e PDK-së – jo vetëm sipërfaqësisht, por edhe statistikisht.

Lajme të ngjashme