BE: Të pagjeturit dhe Asociacioni, dy pikat kyçe të agjendës në takimin Kurti-Vuçiq - NACIONALE

BE: Të pagjeturit dhe Asociacioni, dy pikat kyçe të agjendës në takimin Kurti-Vuçiq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë dy pika kyçe në agjendën e takimit të Nivelit të Lartë më 2 maj ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisës, Aleksandar Vuçiq: Miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur si dhe paraqitja e Draft-Statutit të parë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kështu njoftoi edhe zyrtarisht zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, këtë të premte.

Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha zëdhënësi Stano.

Në lidhje me atë se a do të mund të bëhen hapa rreth çështjes së Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Stano tha se kjo përbën obligim.

Në përgjithësi ne nuk spekulojmë rreth asaj se çfarë do të ndodhë nëse diçka nuk ndodh. Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për të zbatuar obligimet. E, formimi i Asociacionit është një obligim i qartë. Ne presim të lëvizim përpara dhe ne si lehtësues presim që të zbatohen obligimet që palët kanë marrë përsipër”, shtoi ai.

Sipas publikimit zyrtar, takimi do të fillojë nga ora 18:00.

2 maji, vendimtar për Asociacionin

Takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit mbahet më 2 maj dhe në krye të agjendës do ta ketë fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmoi vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, ku tha se është pikërisht draft-Statuti i Asociacionit ajo çfarë do të kenë në tryezë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak. Se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente” tha edhe Këshilltari i Lartë në DASh, Derek Cholllet.

Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit [të Komunave të banuara me shumcië serbe] do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Miroslav Lajçak këtë të enjte.

Lajçak vazhdoi të elaborojë edhe më tej për çka dhe pse po bëhet ky Asociacion: “për të qartësuar marrëdhënien mes qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës”, tha ai. Kjo, sipas tij, për arsye të “përcaktimit të statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe pakicës serbe në Kosovë”. Dhe, këtij Asociacioni, sipas Lajçak, i duhet përcaktuar “se çfarë kompetencash do të ketë”.

Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmnë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”, ka thënë Miroslav Lajçak.

Deklarohet edhe Chollet

Zyrtari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit këtë të enjte telefonoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin, siç lajmëroi, biseduan rreth “nevojës urgjente për themelimin e Asociaconit të Komunave Serbe”.

“Bisedë përmbajtësore dhe pozitive me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot. U pajtuam rreth fuqizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëermjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe përqendrimin e përbashkët në progresin rreth Dialogut, e në veçanti për nevojën urgjente për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Presim takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, shkroi Derek Chollet në Twitter./Nacionale/

Lajme të ngjashme