BDI: Shqiptarët përjashtohen nga Ministria e Mbrojtjes në Maqedoni
8 korrik 2025 – Punësimet e reja në institucionet publike në Maqedoni po përjashtojnë me të madhe shqiptarët.
Ky është alarmi i radhës i ngritur nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili ka përmendur rastin e Ministrisë së Mbrojtjes ku nga 26 të punësuar vetëm një është shqiptar.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për shkallën alarmante që ka marrë diskriminimi ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike. Rasti i fundit në Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga 26 punësime të reja, 25 janë maqedonas dhe vetëm një është shqiptar, është dëshmi e qartë e një politike të organizuar për përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” është thënë në reagimin e kësaj partie.
“Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një plani të strukturuar, i hartuar nga partitë maqedonase dhe oligarkia politike që në vitin 2022, i cili po zbatohet në mënyrë sistematike nga kjo qeveri. Qëllimi është i qartë: shqiptarët të zhbëhen si faktor në institucionet shtetërore dhe publike.
Kjo parti ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese e cila, sipas saj, me vendimet e fundit ka minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas reagimit, “përmes abrogimit të balansuesit etnik dhe detyrimit ndaj institucioneve për mosidentifikimin etnik të qytetarëve, kjo gjykatë ka shndërruar veten në një instrument para-politik në funksion të prishjes së rendit të ndërtuar mbi përfaqësim të drejtë, adekuat dhe multietnicitet.”
“Kjo platformë diskriminuese ka vazhduar përmes një sërë konkursesh të ashtuquajtura ‘të hapura’, ku nën pretekstin e profesionalizmit dhe kompetencës, shqiptarët po përjashtohen sistematikisht, një praktikë që ngjall kujtime të periudhës para vitit 2001. Situata në Ministrinë e Mbrojtjes është thjesht një tjetër kapitull i këtij skenari të rrezikshëm, i cili pas më shumë se një viti implementimi po tregon haptazi fytyrën e vërtetë: një shtet njëetnik, ku shqiptarët shihen si të padëshiruar,” thuhet ndër të tjerash në reagim./Nacionale/