BBC-ja raporton për pesimizëm te demokratët, Harrisi s’do të flasë gjatë mbrëmjes
Televizioni publik britanik, BBC, raporton se donatorët dhe strategët e Partisë Demokrate i kanë thënë një gazetareje të këtij transmetuesit se ata janë duke u ndier “shumë pesimistë” rreth rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në ShBA.
Ndërkohë, gazetarja Nada Tawfik raporton se në kampin e republikanit Donald Trump në Florida ekziston një ndjenjë e “eksitimit dhe qëllimit”, shkruan televizioni BBC.
Bashkudhëheqësi i fushatës së demokrates Kamala Harris, Cedric Richmond, ka thënë se nënpresidentja nuk do t’u drejtohet mbështetësve gjatë natës, por pritet të flasë të mërkurën, raporton televizioni CNN.
“Ne ende kemi vota për të numëruar. Ende kemi shtete që nuk janë shpallur të mbyllura” – tha ai.
Njoftimi i tij erdhi kur televizioni CNN parashikoi fitore të Trumpit në dy shtete kyçe – Karolinë e Veriut dhe Georgia.
Richmond-i tha se fushata e Harrisit do të vazhdojë që të luftojë “për t’u siguruar që secila votë të numërohet, që secili zë të ketë folur”.