Bashkëshortja e tij refuzoi të dalë në punë gjatë grevës, shkarkohet këshilltari i Liburn Aliut
Driton Tafallari, këshilltari i deritanishëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë ditës së sotme, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" konfirmoi se më nuk është pjesë e Kabinetit të Liburn Aliut, gjegjësisht në pozitën e këshilltarit.
"Ju informoj se më nuk jam pjesë e Kabinetit (Këshilltar) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës", shkroi ai ndër të tjerash.
I njëjti, nuk konfirmoi nëse është larguar nga puna me vetdëshirë, pra dorëheqje, apo është shkarkuar.
Gazeta Nacionale ndërkaq, duke u thirrur në burimet e veta ka mësuar se i njëjti është shkarkuar.
Shkak për këtë duket të jetë refuzimi për të punuar gjatë grevës nga bashkëshortja e tij, arsimtare e lëndës së fizikës në shkollën "Ismail Qemaili" në kryeqytet.
Madje, siç mëson gazeta, rol të rëndësishëm në këtë shkarkim ka pasur edhe Dejona Mihajli, e njohur ndryshe si Kadri Veseli e Vetëvendosjes.
Për hirë të korrektësisë, Nacionale tentoi të flasë me Driton Tafallarin, por komunikimi me të ka qenë i pamundur.
"Nuk kam çka me shtu. Krejt e keni në status". Përkundër insistimit të gazetarit për të mësuar nëse është dorëhequr apo shkarkuar, Tafallari ndërpreu komunikimin.
Konflikti
Greva mes Qeverisë e SBAShK-ut është njëra prej më të mëdhave që ngjau këtë vit kalendarik.
Për një muaj, shumica e anëtarësisë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, nuk dolën në punë, si protestë ndaj qeverisë që nuk po pranonte dialogun, respektivisht kërkesën e anëtarësisë për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Kjo grevë u ndërpre me datën 30 të muajit shtator, kur përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", SBAShK konfirmoi pezullimin e grevës deri në janar të vitit të ardhshëm.
"Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.
Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.
Këto shënime do t'i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t'i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK", shkruante ndër të tjerash në komunikatën respektive.
S'është i vetmi
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që anëtarët e VV-së, ose figura të forta shkarkojnë për mosdëgjim, ani pse kësaj radhe pak tërthorazi.
Dikush që shquhet për një gjë të tillë, është padyshim kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Ky i fundit ka shkarkuar hiç më pak se tre drejtorë.
Vilat luksoze dhe mbindërtimet pa leje u bënë mollë sherri që VV-ja e profilizuar si e majtë, në Podujevë të përçahet.
Bedri Maqastena, Ajet Potera dhe Besnik Mulliqi janë tashmë ish-drejtorët e kreut aktual të Podujevës.
Ishte Nacionale që pat mësuar se kryetari e kishte shkarkuar Mulliqin, drejtori i fundit, për shkak të vilave luksoze te Liqeni i Batllavës dhe ndërtimeve pa leje në qendër të Podujevës.
Mbetet të shihet nëse ky momental do ta përfundojë mandatin nën direktivat e njeriut, vajza e të cilit dikur bëhej pjesë e ballinave të mediave, shkaku i punësimit në Agjencinë e Privatizimit.


