Buzhala: Edhe në portale pagat janë më të mëdha se të mësimdhënësve - NACIONALE

Buzhala: Edhe në portale pagat janë më të mëdha se të mësimdhënësve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Ky ishte fraksioni i 26 i emisionit që po shënon rritje galopante në të gjitha platformat tona sociale.

Për ata që për një ose arsyen tjetër nuk kanë mundur ta përcjellin natën që lamë pas, temë parësore ishte përplasja mes qeverisë dhe grevistëve, gjegjësisht BSPK-së, e cila nuk po tërhiqet nga kërkesa prej 100 eurove deri në miratim të ligjit të pagave.

Kjo kërkesë ka hasur në vesh të shurdhër, pasi qeveria dhe shefi i saj, Albin Kurti nuk po pranojnë të dialogojnë fare me përfaqësuesit sindikalë, teksa ndarja prej 50 euro për punëtorët e sektorit publik si pjesë e masës për Përballjen me Inflacion, po shihet si e pamjaftueshme.

Në njërën pjesë të emisionit, e të cilën e kemi zgjeruar këtu, autori iu drejtua Kurtit me atë se mund t'ua rritë pagat mësimdhënësve, dhe në të njëjtën rrugë ta vazhdojë reformën.

Veç kësaj, ai kujtoi faktin se nuk ka biznes që nuk i ka pagat më të mëdha sesa ato të personelit arsimor, madje edhe në portale është një realitet i tillë.

"Nëse po thu që po bëjmë reforma, Albini, Hekurani ose krejt kjo shpurra qeveritare, ti rriti rrogat, nëse mendon që e këta e meritojnë m’i pasë rrogat më të mira. Rriti rrogat e vazhdoje reformën. Sepse është kontradiktore me thënë kemi me bë reforma me këto rroga. Sepse industria, ose zeja është jokonkurruese. Në portale janë pagat më të mëdhaja se të mësimdhënësve. Nuk ka biznes që s’i ka pagat më të mëdha se mësimdhënësit. Pra, pak a shumë si ai shembulli që përdoret në popull, pra qeni që ndjekë bishtin e vet e që s’e kapë dot. Nuk mund ta zë", tha fillimisht ai.

Tutje, Buzhala shtoi se mbase edhe cilësia që vjen prej sistemit arsimor aktualisht nuk është reale, pasi infrastruktura ka shënuar përmirësime të dukshme, megjithatë, sipas tij, pagat duhet të rriten në mënyrë që kjo "zeje" të bëhet atraktive për punësim.

"Ne synojmë ta rrisim cilësinë me paga të vogla. Ideja është kjo: kërkesa është reale. A është reale cilësia që vjen prej sistemit arsimor aktualisht? Nuk besoj që është shumë reale. Sepse shkollat janë rregullu, infrastruktura është e mirë, kemi shkolla të reja që janë rregullu e që janë më të mirat në rajon. Pagat janë shumë të vogla. Kanë qenë të mëdha në vitin 2011/2012, kur janë rrit qindpërqind, tash janë jonkonkurruese. Pra, ti mundesh me ua rritë rrogat, me fillu procesin e reformimit edhe me bë pozitën e mësuesit atraktive për punësim".

Në një moment ai shpalosi edhe detajin që po e harrojnë të gjithë, angazhimi i pashembullt i Jasharajt nuk është se do t'i bëjë edhe shumë dobi atij, sepse shumë shpejtë do të dalë në pension dhe si rrjedhojë akuzat për përfitime, automatikisht bien poshtë.

"... nuk ka me përfitu Rrahmani, sepse Rrahmani ka me dalë në pension. Nuk është duke mendu për veti", potencoi ai.

Në fund fare, ai doli kundër komentuesve që po thonë se jemi rritur në varfëri, andaj kërkesa për rritje pagash nuk është legjitime.

Gazetari tregoi barrierat e kohërave të mëparshme, por me plot gojë përmendi se kjo nuk do të thotë që duhet të jetojmë gjithmonë kështu.

"Dmth, nuk është mirë me dëgju këtë mënyrë të të menduarit. Varfëria po glorifikohet. Jemi rritë në varfëri. Është e vërtetë. Kemi fjetur në stalla lopësh, e kemi shfrytëzuar kalin si mjet transporti, por tash nuk duhet të jetojmë gjithmonë kështu. Duhet krijuar kushte më të mira. Për të gjithë", përfundoi ai.

Siç edhe mund të shihni, në pjesën e epërme të tekstit është episodi i plotë, kurse më poshtë gjeni pjesën e shtjelluar këtu. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme