"Bashkëpunim i ngushtë": Qysh i përshkruan Kurti e Osmani raportet e tyre në publik? - NACIONALE

"Bashkëpunim i ngushtë": Qysh i përshkruan Kurti e Osmani raportet e tyre në publik?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në opinionin publik, ka një kohë që flitet e përflitet për një çarje në raportet në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, një dyshe që garoi së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Herë pas here, dy protagonistët e këtij shkrimi, pra Kurti e Osmani, kanë pasur mospajtime politike.

Së fundmi, kjo dyshe u panë pak të acaruar në lidhje me një letër që Qeveria e Kosovës, përmes ministres Donika Gërvalla, e dërgoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Komandantja Supreme në mënyrë të hapur tregoi se nuk është konsultuar nga Kurti e Gërvalla për këtë letër.

Por, si i përshkruan në publik raportet mes njëri-tjetrit Kurti e Osmani?

Në publik, Kurti e Osmani rezervuan fjalët më eufemiste të mundshme. Secili prej tyre, foli kujdesshëm, duke e quajtur përplasjen me terme më të buta, si p.sh. dallime. Megjithatë, edhe Kurti, edhe Osmani këto dallime nuk i quajtën si të patejkalueshme, të përhershme.

I pari që foli për raportet e dyshës kryesore politike në vend, ishte kryeministri Kurti. Natyrisht, kur u pyet për “shpërthimin” e Osmanit ndaj tij, Gërvallës e Glauk Konjufcës, Kurti e tregua tepër i kujdesshëm në fjalë.

Në përgjigjen e tij, Kurti foli për “bashkëpunim të ngushtë”, duke përmendur dallimet, të cilat vlerësoi se nuk janë të patejkalueshme.

“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë, kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlmentarin, edhe me ministren e jashtme, edhe me presideten Osmani, nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por nuk besoj se ka të tilla që janë të patejkalueshme” – ka thënë Kurti.

Për dallim nga Kurti, Osmani ishte më e gjatë, ndonëse njëjtë e kujdesshme. Që në hyrje të fjalës së saj, Osmani theksoi qartësisht se nuk ka luftë politike me Kurtin.

“E para nuk ka luftë politike, presidentja kërkon vetëm e vetëm që të respektohet Kushtetuta e Republikës, territorit, funksionaliteti, apo parimi dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket dokumentit të vitit 2015. Këto janë parime bazë që kam kërkuar të respektohen, e po bëhen më shumë se 10 vite. Atë qëndrim që kam pasur si deputete, të njëjtin edhe sot…kam shprehur shqetësimet për tri tema në atë status, para se të flasim për zbatim, procedurat janë të qarta. Nuk ka asnjë luftë politike, si presidente luftoj vetëm për kushtetueshmërinë.” – u shpreh Osmani ditë më parë.

Tutje, kur gazetarët ia përmendën fjalën e Kurtit se dallimet nuk janë të patejkalueshme, Osmani tha se kur vendoset interesi shtetëror dhe qytetar, çdo dallim është i tejkalueshëm.

“Po e shoh që keni një unanimitet sa i përket kësaj pyetje, meqenëse po e shoh se ka interesim, kur vendoset interesi shtetëror dhe qytetar, mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm. E dini cili ka qenë dallimi, kemi folur publikisht, është e domosdoshme që të gjitha institucioneve, të gjitha partitë politike, të ulemi dhe të reflektojmë. Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku e vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vite.” – u shpreh Osmani tutje.

Ndryshe, dje Osmani e përkrahu Qeverinë Kurti në lidhje me shpronësimet në veri, një çështje shumë e kritikuar nga ambasadorët e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Lajme të ngjashme