Bajrami: Trendafilova më kishte thënë se do të dorëhiqej nëse paraburgimi zgjaste mbi një vit
Akademiku Arsim Bajrami ka deklaruar se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, i kishte thënë se ishte e gatshme të jepte dorëheqje nëse ish-krerët e UÇK-së do të mbaheshin në paraburgim për më shumë se një vit.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, Bajrami tha se Trendafilova këtë qëndrim e kishte shprehur edhe publikisht.
“Me ka thënë edhe mua po e ka thënë edhe mediave sepse ajo vetë ka deklaruar se nuk ka arsye ligjore që dikush të mbahet në paraburgim më gjatë se një vjet”, tha ai.
Bajrami kritikoi zgjatjen e vazhdueshme të paraburgimit, duke përmendur bashkëpunimin e Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare dhe faktin se të akuzuarit ishin dorëzuar vullnetarisht.
“Kosova është shembull i bashkëpunimit me tribunalin e Hagës dhe të gjithë këta janë të vetëdorëzuar”, deklaroi Bajrami.
Sipas tij, pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale ka vazhduar të gjejë arsye për zgjatjen e paraburgimit dhe vendosjen e kufizimeve ndaj të akuzuarve.