Bajqinovcit mund t`i plotësohet pozita e pezulluar në Agjencinë Kundër Korrupsionit - NACIONALE

Bajqinovcit mund t`i plotësohet pozita e pezulluar në Agjencinë Kundër Korrupsionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci, nuk mund t`i ruhet edhe shumë gjatë pozita shefit të Zyrës për Mbështetje dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilën e ka pezulluar në vitin 2019 pasi ishte bërë deputet.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit(ish-Agjencinë Kundër Korrupsionit) ka bërë me dije se në kuadër të procesit të riorganizimit strukturor dhe funksional pritet të shpallet edhe kjo pozitë.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, agjencia ka treguar se në këtë proces do të plotësohen të gjitha pozitat që lejohen me ligj.
Në këtë mënyrë, nëse deputeti i VV-së dëshiron të kthehet në agjenci ai mund ta marrë një pozitë ekuivalente me atë që e ka pasur.

Pas aprovimit të ligjit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, në gusht të vitit 2022, Agjencia është në proces të riorganizimit strukturor dhe funksional, rrjedhimisht pas këtij procesi do të shpallen dhe plotësohen të gjitha pozitat e lira dhe që lejohen me ligj”, është thënë në përgjigjen e APK-së.

APK-ja nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës, nëse mbajtja e kësaj pozite pezull nga Bajqinovci është konflikt i interesit, meqenëse deputetët e zgjedhin drejtorin e Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas APK-së, pezullimi i kësaj pozitë nga ana e Bajqinovcit është bërë në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Pezullimi i pozitës së punës nga z. Bajqinovci në vitin 2019 është bërë në harmoni me Legjislacionin përkatës të shërbimit civil, sipas kërkesës së palës dhe nuk ndërlidhet me Ligjin e Parandalimit të Konfliktit të Interesit”, ka thënë agjencia.

Gjithashtu, agjencia nuk ka dashur të flas as për kohen kur Bajqinovci ushtronte dy profesione në të njëjtën: zyrtar i agjencisë dhe gazetar në KTV.

Gjatë kohës sa z. Bajcinovci ka ushtruar funksionin e tij si shërbyes civil në AKK, angazhimi jashtë institucionit ka qenë i rregulluar me Rregulloren (QRK) - Nr. 04/2015 për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Pra, besojmë që angazhimi i tij në punë jashtë orarit të tij në AKK është bërë në harmoni me këtë Rregullore pasi që mbikëqyrësi i tij direkt ka qene në dijeni për këtë angazhim”, ka treguar agjencia.

Agjencia ka treguar se Ligji për Zyrtarët Publikë ua mundëson nëpunësve publik që t`i pezullojnë pozitat e tyre.

Vendimi i vitit 2021, lidhet kryesisht me periudhën zgjedhore të zgjedhjeve gjegjëse. Ligji Nr. 06/L - 114 për Zyrtarët Publikë në nenin 22 u garanton të drejtat politike nëpunësve të Shërbimit Publik, duke përfshirë edhe të drejtën që pas përfundimit të mandatit përkatës të mund të kthehen në pozitë të njëjtë apo ekuivalente brenda Shërbimit Publik”, ka bërë me dije APK-ja

Ndër të tjera, agjencia ka treguar se nëse ish-zyrtarët e kësaj agjencia janë të pakënaqur, ata mund të ankohen në institucionet përkatëse.

Në rast që do të ketë pretendime që të drejtat e (ish) zyrtarëve janë cenuar, zyrtarët do të udhëzohen t’u drejtohen autoriteteve përgjegjëse për zyrtar publik në kuadër të Ministrisë përgjegjëse për administratë publike për interpretime nëse është e nevojshme, ose për ankese eventuale Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës apo Gjykatave kompetente”, ka bërë me dije agjencia.

Mbi tri vite i ruhet pozita

Kohë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci, ende i ruhet pozita në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilën e kishte pezulluar në dhjetor të vitit 2019.

Këtë e kishte konfirmuar edhe agjencia.

Ndonëse ligji parasheh që pozitat e pezulluar të plotësohen pas 3 muajsh, APK-ja që tri vite nuk e ka zgjedhur askënd shef të Zyrës për Mbështetje dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Pasi kishte vendos të merrej me politikë dhe të bëhet pjesë e listës së VV-së për deputet, ai është kujdesur që ta ruaj vendin e përhershëm të punës në agjenci.

Duke e shfrytëzuar mundësinë ligjore, ai kishte vendosur ta pezullonte pozitën e tij si Shef i Zyrës për Mbështetje dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Pezullimi i punës në shërbim civil për individët që vendosin të bëhen pjesë të politikës nuk është risi. Këtë veprim e kanë bërë më herët edhe individë të tjerë.

Por, rasti i deputetit Bajqinovci është më specifik, meqenëse drejtori i kësaj agjencia zgjidhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Pasuria e Bajqinovcit

Deputeti Bajqinovci gëzon edhe të ardhura të mira.

Në deklarimin e tij të pasurisë pikërisht në Agjencinë ku ka punuar, Mefail Bajqinovci ka treguar se i ka dy banesa (njëra me terasë të madhe 62 metra katrorë) dhe një shtëpi vikendi me 15 ari tokë.

Banesën me 53 metra katrorë thotë se e ka blerë. Ndërsa, banesën 106 metërshe që ka edhe terasë 62 metra katrorë thotë se e ka blerë me kredi. Ndërkohë, shtëpinë e vikendit me 15 ari tokë thotë se e ka ndërtuar me kredi.

Vlera e krejt këtyre sipas tij është 116 mijë euro.

Mefaili ka treguar se nuk ka fare veturë, por bashkëshortja e saj megjithatë e ka një që vlen 14 mijë euro.

Sa i përket parave të gatshme, ai i ka deklaruar vetëm 1 mijë euro, ndërsa të përbashkëta i ka 3 mijë të tjera. Bashkëshortja e tij i ka 1 mijë e 850 euro.

Paga vjetore e tij në Kuvendin e Kosovës është 23 mijë e 215 euro. Ndërkohë, ai ka lëshuar edhe njërën banesë me qira dhe i merr nga 2400 euro në vit.

Por, ai e ka treguar edhe një mëditje të marrë nga institucion i quajtur “KPK”.

Ndërkohë, bashkëshortja e Mefit del se përveç që punon në Shërbimin Spital dhe merr një pagë prej 7500 eurove, punon edhe si mësimdhënëse dhe në një klinikë private.

Lajme të ngjashme