Baba Mondi dhe Shteti Bektashian ose beteja e parë e fituar kundër Iranit
Një fotoshkrepje e bërë në dhjetor të vitit 2019, mes Baba Mondit dhe një ekipi të Forcave të Armatosura të Izraelit (IDF), nuk ishte vetëm një pozë e thjeshtë nga një takim kasual e as shfaqje e mikpritjes shqiptare. Ajo ishte një simbolikë e shumënduartë e cila fliste zëshëm. Mesazhi i parë: Shqipëria nuk i rri gatitu Iranit! Mesazhi i dytë: Shqipëria rri krahpërkrah me Perëndimin dhe Izraelin! Udha drejt kësaj bote të re me tolerancë e pa fanatizma fetare u trasua pikërisht nga bektashianët shqiptarë, avatari më i mirë kulturor e fetar i Shqipërisë në botë. Kësodore, ‘Shteti Bektashian’, sado ide që bullizohet andej e këndej, del të jetë një nga hapat e parë për çlirimin e botës nga teokracia e ajatollahëve dhe regjimeve jotolerante në Lindjen e Mesme.
Col MEHMETI
19 qershor 2025 – Për të shtatën ditë me radhë të cakërrimit të madh, Izraeli ka vijuar goditjet me përpikmëri kirurgjike mbi asetet më të rëndësishme të regjimit teokratik në Iran.
Megjithë rrebeshin e raketave ballistike dhe dronëve iranianë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë hequr qafësh
fizikisht gati krejt eshalonin e hierarkisë së lartë ushtarake në Teheran.
Derisa gjithë bota është sy e vesh nga ngjarjet në Lindjen e Mesme, veçmas në hapat që Shtëpia e Bardhë pritet t’i marrë nga ora në orë, jo shumë dihet e flitet për një ngjarje me simbolikë jo të vogël.
Shqipëria është nga vendet e para në botë që i ka dhënë një goditje hundëve ndikimit iranian në Evropë.
Dhe kjo u bë nga ajo që në fund të vitit të kaluar shkaktoi një ortek diskutimesh në botën shqiptare – propozimi për themelimin e një shteti bektashian.
Irani me gishtin në këmbëz ndaj Shqipërisë
Të martën, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, paralajmëroi se Irani mund ta ketë gishtin te këmbëza kur bëhet fjalë për Shqipërinë.
Në një intervistë për EuroNews Albania, ajo ndërmendi sulmin kibernetik të cilin Irani e ndërmori para disa vitesh kundër Shqipërisë.
“Para dy vitesh e gjysmë, ose tre, ju sulmuan kibernetikisht dhe u përpoqën të shkatërronin shërbimet tuaja digjitale. Nëse mund t’ju kërcënojnë në mënyra të ndryshme për të ndikuar në qëndrimet tuaja në çështje të ndryshme, ata mund ta mbajnë gishtin në këmbëz dhe t’ju vënë në presion. Dhe pyetja është çfarë do të bëni ju?” deklaroi ambasadorja Peleg.
“Nëse Izraeli është objektivi i Iranit, pse Irani po zhvillon raketa ballistike që shkojnë dy herë më larg se Izraeli? Qartazi, kjo do të thotë se Izraeli nuk është synimi i tyre i fundit. Edhe Shqipëria mund të jetë në rrezik.”
Një Shtet Bektashian në përpjekjen kundër fanatizmave fetare
Në shtator të vitit të kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama në faqet e New York Times i dha jeh idesë për një shtet bektashian.
Shteti Sovran Bektashian, siç e quajti ai idenë për këtë entitet të palindur ende, do të bëhej ashtu që Shqipëria të prmovonte një version tolerant të Islamit.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare e cila kurrë nuk duhet të merret si e mirëqenë”, pati thënë Rama në bashkëbisedimin e zhvilluar me Andrew Higginsin.
Duke i shëmbëllyer vetëm së jashtmi Vatikanit, kjo enklavë sovrane, që për nga madhësia do të ishte e barabartë me pesë blloqe ndërteash në New York, do të ishte i tillë ku të lejohej alkooli, gratë do të ishin të lira të veshin ç’të duan e ku nuk do të kishte rregulla imponuese për sa i përket stilit të jetës.
Atdheu i bektashianëve
Si atdhe i krejt bektashianëve në botë, Shqipëria prej 1929-s e ka valëvitur si një nga pasuritë e saj bashkësinë e këtij urdhri sufist.
Me zanafillë të tejlargët nga Anadolli i shekullit të 13-të, duke pasur si eponim mistikun e dijetarin nga Khorasani Haxhi Veli Bektashi, bektashizmi është një urdhër sinkretik e heterodoks.
Prej korpuseve të tij shkrimore e deri te praktikat qindravjeçare, bektashizmi mbahet gjallë nëpërmjet katër shtyllave: sharia
(shartet fetare), tarikah (rrugëtimi shpitëror), marifa (dija e vërtetë) dhe hakika (e vërteta).
Derisa historia e lajmërimit të bektashizmit në trevat e banuara me shqiptarë prapakthehet në kohë deri në shekullin e 13-të (siç janë rrëfenjat për Sari Salltëkun), pjesa më e madhe e studiuesve veçojnë dy ngjarje madhore që e bën të lidhur urdhrin me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Qysh në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, një numër baballarësh bektashianë gjetën strehë në Janinë e qendrat e tjera të jugut shqiptar.
Vendimi i sulltanit Mahmudi II më 1826, sipas të cilit urdhri ndalohej në Perandori për shkak të asocimit të tij me jeniçerët, bëri që plot bektashianë të merrnin udhë drejt Shqipërisë.
I përhapur kryesisht në jug, harta e bektashizmit u zgjerua edhe në veri të Shkumbinit mes gegësh. Kështu, urdhri gjeti tokë pjellore edhe në Dibër, Kërçovë, Tetovë dhe Gjakovë.
I njohur për natyrën e tij tejet liberale e gjithëpërfshirëse, bektashizmi u pranua lehtësisht prej shqiptarësh.
Rezistenca antiosmane e shqiptarëve në kapërcyell të shekujve 19-të dhe 20-të ka rregullisht për protagonistë plot klerikë (baballarë) bektashianë, ashtu sikurse edhe teqet e tyre u shndërruan në vatra të përhapjes së ideve të Rilindjes Kombëtare.
Duke pasuar vendimin e Mustafa Qemal Ataturkut, i cili më 1925 i ndaloi të gjithë urdhrat dervishë në Turqinë republikane, kryegjyshi i atëhershëm bektashian Sali Nijaziu nga Kolonja (1876-1941) mori vendim që selia e bektashizmit të kalonte nga qyteti i Haxhibektashit në Tiranë.
Udha bektashiane…
I ikur nga Shqipëria menjëherë pasi komunistët e morën pushtetin, Rexhep Beqiri (i njohur si Baba Rexhepi), në fundvitet ’60, në Shtetet e Bashkuara në Amerikë, e botoi librin e tij “Misticizma Islame dhe Bektashizma.”
Themeluesi i teqes në Detroit, gjirokastriti bektashian ra në kontakt me literaturë të sofistikuar mbi llojet e sufizmit islamik, sidomos me veprat e orientalistit Henry Corbin.
Për këtë arsye, ai u përpoq ta vinte bektashizmin në perspektivën e misticizmave myslimane, duke sipërfaqësuar sidomos afërsitë me shiizmin pers.
Qysh prej viteve ’90 kur Irani filloi përpjekjet e tij për ta tokëzuar ndikimin e vet në Ballkan, diplomatët e njerëzit e Teheranit nuk ia kanë huqur dakikun për të vënë dorë edhe brenda bashkësisë bektashiane në Shqipëri.
Si rremb pas të cilit u kapën iranianët ishte rrethana që bektashizmi, si njëri nga shumë urdhrat sufistë, bashkëndan jo pak elemente me islamin shia – si feja zyrtare në Iran.
Edhe pse bektashianët nuk klasifikohen si shiitë të kulluar, Irani përdori gjithfarë mënyrash për ta vënë nën kontroll këtë urdhër i cili prej vitit namkeq 1967 kishte qenë i ndaluar në Shqipërinë e totalitarizmit komunist.
Në këtë drejtim u shqua i ashtuquajturi Fondacioni Saadi Shirazi. Fondet e majme iraniane ishin pas plot botimeve e aktiviteteve kulturore të cilat si synim kishin ngjalljen e “kulturës së madhe islamike.”
Ardhja e Baba Mondit
Njohësit e bektashizmit prej kohësh kanë vënë re përpjekjet e Iranit që bektashinjtë shqiptarë e joshqiptarë t’i kthejnë në ‘grigjën’ e Islamit shia.
Me këso synime ishte edhe dërgimi i disa “dervishëve të rinj bektashianë në Iran, pranë Fakultetit Teologjik në Qytetin e Shenjtë të Qomit, për përgatitje fetare.”
Pas mbajtjes së Kongresit të Gjashtë të Bektashinjve (19-20 korrik 1993), pati jo pak pakënaqësi në mesin e bashkësive bektashiane në Kosovë, Maqedoni dhe në diasporën e madhe në Evropë.
Në zemër të tyre ishte shqetësimi që kjo bashkësi mund të bëhej vegëz për ndikime lindore.
Por, zgjedhja e Edmond Brahimajt, i njohur si Baba Mondi, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të bektashinjve solli realitete më të mbara për këtë bashkësi.
Nën drejtimin e tij, bashkësia bektashiane u mbajt larg cilindo ndikim të jashtëm, sidomos atij iranian.
Me karizmën e tij, karakterin liberal dhe figurën e shumëdashur prej babaxhani, Baba Mondi zë shpesh vend në kronika mediash të huaja e studime akademike.
Një simbolikë që peshon shumë
Simbolika më e madhe që e tejçoi Kryegjyshata Botërore Bektashiane ishte në dhjetor të 2019.
Në ditët e gjëmshme që pllakosën Shqipërinë pas tërmetit, zonave të goditura iu erdhën në ndihmë ekipe profesionale nga mbarë bota.
Në mesin e tyre ishte edhe një ekip nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cilët asokohe takuan për së afërmi Baba Mondin.
Përtej një fotoshkrepje çasti, simbolika e takimit ishte e tillë që ‘vriste’ larg.
Ajo shënoi, në të vërtetë, aktin e vetëdijshëm të asgjësimit të ndikimit iranian në Shqipëri – i cili qe dendësuar së tepërmi kur shteti shqiptar iu dha strehë mijëra disidentëve iranianë që e kundërshtojnë regjimin e ajatollahut.
“Unë e dua Izraelin, dhe veten e konsideroj si vëlla të popullit të Izraelit”, u shpreh Baba Mondi në një intervistë të bërë vjeshtën e kaluar në Jersualem Post.
Në reportazhin që e shoqëroi intervistën në fjalë, gazetarit izraelit Eldad Beck i bëri përshtypje fakti që edhe brenda Kryegjyshatës Baba Mondi shoqërohej nga rojet e tij.
“Pavarësisht faktit se Urdhri Bektashian beson në paqe e dashuri, nuk mund të shpërfillen rreziqet rrotull tij. Një prijës mysliman që predikon moderim e tolerancë dhe faqe botës shfaq mbështetjen për Izraelin, siç bën Baba Mondi, e gjen veten përballë kërcënimesh të përhershme”, shkroi gazetari izraelit.
Ç’prej kumtimit të shestimit për krijimin e një ‘Shteti bektashian’, me anë të të cilit kjo bashkësi do të fitonte një status ekstraterritorial brenda Shqipërisë, ka pasur jo pak kundërshtime.
I njohur për afrinë e tij të palëkundur me Teheranin, Olsi Jazexhi muajin e kaluar shkoi deri atje sa e quajti idenë e një shteti bektashian si mjet i Izraelit kundër Iranit dhe Turqisë. /Nacionale/