“Baba i grevave” nuk gjen paqe me Qeverinë Kurti, paralajmëron grevë – kritikon Nagavcin për injorim - NACIONALE

“Baba i grevave” nuk gjen paqe me Qeverinë Kurti, paralajmëron grevë – kritikon Nagavcin për injorim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, ka ripërsëritur sot ankesën e kahmotshme për “qasje të gabuar” të Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Po ashtu, Jasharaj, që gjerësisht ishte quajtur “baba i grevave”, ka rikthyer në vëmendje mundësinë e masave sindikale, duke dërguar sinjale se nuk ka gjetur “paqe” me Qeverinë Kurti, e cila paralajmëroi rritje rroge në janar e korrik nga 55 euro, gjithsej 110 euro.

Hiç më larg se sot, Jasharaj u ankua për injorimin nga ana e Arbërie Nagavcit, ministre e Arsimit, duke thënë se SBAShK-u nuk ka “asnjë sinjal për kërkesat tona nga ministrja Nagavci, që dy vite vetëm na injoron”.

Pasi e kreu me ankesën gati zyrtare të tij, Jasharaj iu rikthye deklarimit për mundësinë e grevës në sektorin e arsimit publik. Në një deklarim për Frontonline, Jashraj tregoi se është duke biseduar me anëtarësinë e SBAShK-ut, duke treguar edhe kushtin e grevës.

Nëse nuk ndryshon qasjen e gabuar qeveria, atëherë Jasharaj nuk e hoqi nga ekuacioni i të mundshmës grevën.

“Jemi duke biseduar me anëtarësinë, çka nëse vazhdohet me qasjen e gabuar të Qeverisë e Nagavcit. Komisioni do të vendos dhe nëse vazhdohet kështu do të ketë veprime sindikale, do të kemi fillimisht protestë e nëse nuk ka rezultat pozitiv, do të vazhdojmë me greva” – deklaroi Jasharaj.

Edhe në këtë bisedë, Jasharaj e kritikoi rritjen e paralajmëruar të pagës.

Deklarimi për rritjen e pagave e ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë tek anëtarësia. I tërë sektori publik është tepër i pakënaqur. Është dashur tani ti rrisin pagat e jo nga janari dhe jo aq pakë… Ngritja ironike 55 euro në janar është e pamundur se Murati ka të drejtë me ligj të lëviz me vlerën e koeficientit por me vetë koeficient as ai as Kurti s’kanë të drejtë” – ka thënë Jasharaj.

Kjo nuk është hera e parë e kritikave për rritjen e paralajmëruar të pagës. Madje, në ditën kur u paralajmërua kjo ritje, Jasharaj e kishte quajtur “tepër të ulët dhe nënçmuese”.

“Kemi një premtim se në janar do të ketë lëvizje brenda koeficienteve që dyshojmë që nuk është e mundur ngase që ligji për pagat e ka prodhuar Parlamenti dhe vetëm ai ka të drejtë të ndërhyjë në ligje, ndërsa Murati ka mundur të bëjë më lehtë lëvizjen e ta ngrit koeficientit por ta ngrit tani e jo në janar, sepse janari ka disa muaj dhe nuk dihet se çfarë do të ndodh, nga disa mund të lexohet si një deklarim pranë fushatës sidoqoftë, punëtorët e arsimi dhe jo vetëm janë tepër të pa kënaqur ngase me këtë lëvizje nëse e kthejmë në euro i bie diku 50 euro, ngritje që është tepër e ulët dhe është nënçmuese dhe kam frikë që kjo do të reflektojë tek anëtarësia jonë” – kishte thënë Jasharaj.

Ndërsa në një rast tjetër, Jasharaj e kishte bërë fajtore Nagavcin në rast se do të kishte veprime sindikale, ku përfshihet edhe greva. E gjithë kjo për shkak të “mungesës së dialogut dhe komunikimit”.

“Mungon dialogu dhe komunikimi, zonja Nagavci është dashtë të komunikojë me ne drejtpërdrejt sepse ne jemi ata që në emër të anëtarësisë e kemi dorëzuar draftin e Kontratës. Deklarata e saj se s’ka kontratë, matematikisht i bie që shumë lehtë mund të ketë veprime sindikale dhe fajtore do të jetë zonja Nagavci.” – kishte theksuar Jasharaj.

Lajme të ngjashme