Jasharaj paralajmëron grevë nëse Qeveria vazhdon “qasjen e gabuar”, rritjen e rrogës e quan “ironike”
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur në lidhje me mundësinë e protestës së mësimdhënësve. Në një prononcim për Frotonline, Jasharaj ka vlerësuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është duke i injoruar.
“S’kemi asnjë sinjal për kërkesat tona nga ministrja Nagavci që dy vite vetëm na injoron”, thotë Jasharaj.
Tutje, ai ka treguar se është duke u konsultuar me anëtarësinë e SBAShK-ut rreth qasjes së Qeverisë Kurti.
“Jemi duke biseduar me anëtarësinë, çka nëse vazhdohet me qasjen e gabuar të Qeverisë e Nagavcit. Komisioni do të vendos dhe nëse vazhdohet kështu do të ketë veprime sindikale, do të kemi fillimisht protestë e nëse nuk ka rezultat pozitiv, do të vazhdojmë me greva”, deklaroi Jasharaj.
Tutje, rritjen e pagave për 55 euro, Jasharaj e ka quajtur ironike.
“Deklarimi për rritjen e pagave e ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë tek anëtarësia. I tërë sektori publik është tepër i pakënaqur. Është dashur tani ti rrisin pagat e jo nga janari dhe jo aq pakë… Ngritja ironike 55 euro në janar është e pamundur se Murati ka të drejtë me ligj të lëviz me vlerën e koeficientit por me vetë koeficient as ai as Kurti s’kanë të drejtë” – ka thënë Jasharaj.