BE-ja e pranon zyrtarisht: Rrjeti shqipfolës i kokainës është më i sofistikuari në Evropë - NACIONALE

BE-ja e pranon zyrtarisht: Rrjeti shqipfolës i kokainës është më i sofistikuari në Evropë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrjetet kriminale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë shfaqur në 10 vjetët e fundit si lojtarë kryesorë në tregun e kokainës në BE. Ata kanë qenë objektiv i disa operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit, thuhet në raportin “Tregu i Kokainës në BE 2022”, publikuar më 6 maj 2022.

Raporti i hartuar nga Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga, është porositur nga Bashkimi Europian dhe Europoli. Ky raport i ka kushtuar një pjesë të veçantë “trafikut të kokainës nga rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor”. Ky raport gjithashtu ka publikuar informacione për dy rrjetet më të mëdha të trafikimit të kokainës në Evropë, në të cilin “grupi shqipfolës” është një ndër më të sofistikuarit në botë. E në Evropë janë më të fortit.

Për vite më radhë, importuesit ndërkombëtarë punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Megjithatë, një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin mbi importin dhe shpërndarjen. Duke përdorur mjete të sofistikuara komunikimi të koduara, me qendër në Ekuador, negociojnë drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut dhe organizojnë dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Evropës, dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri, gjithashtu organizojnë shpërndarjen për konsumatorët për të gjithë përdoruesit në Evropë.

Kokaina u kontrabandua nëpër kufijtë europian, duke e fshehur në automjete të ndryshme. Kriminelët pastrojnë paratë duke përdorur një sistem alternativ të remitancave të stilit me origjinë kineze, të njohur si sistemi “fei ch’ien” që nënkupton shpërndarjen e parave nëpërmjet njerëzve në vende të treta, që hapin biznese ose krijojnë fonde të ndryshme duke i legjitimuar paratë e drogës.

Një tjetër operacion i zbatimit të ligjit i realizuar në 8 vende ka rezultuar me akuzimin e 61 të dyshuarve që besohet se i përkasin një rrjeti Ballkanik të trafikimit të drogës, që janë përgjegjës për trafikimin me shumicë të kokainës në Evropë.

Ky rrjet kriminal kishte degë në disa shtete evropiane dhe përbëhej kryesisht nga kriminelë që vijnë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Autoritetet e zbatimit të ligjit vëzhguan lëvizjet e krimineleve mes Spanjës dhe Amerikës së Jugut dhe importimin e mbi 1.2 tonë kokainë në BE.

Hetuesit spanjollë arritën t’i dëmtojnë kriminelët duke i prekur në rrjedhat alternative të të ardhurave të rrjetit, të tilla si prodhimi dhe trafikimi i kanabisit dhe shitja e automjeteve luksoze. Në mënyrë të ngjashme, disa anëtarë të grupit të organizuar kriminal u akuzuan në Slloveni për shpërndarje të kokainës dhe kanabisit në të gjithë Evropën.

Lajme të ngjashme