Avokati i familjes Osmani: Gjendja e prindërve të Marigonës është rënduar këto dy vite, po mendojnë të largohen
Gazmend Rexhepi, avokati i familjes së Marigona Osmanit, ka thënë se prindërit e viktimës kanë shkuar kanë shkuar në çdo seancë dhe për dy vjet, prej kur ka ndodhur rasti, gjendja e tyre ka shkuar duke u bërë më e rëndë.
Rexhepi i ftuar në T7 pas shpalljes së aktgjykimit, Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu me 15 vjet, për bashkëpunim në krim, ka thënë se gjendja emocionale dhe shëndetësore e prindërve të Marigonës është rënduar këto dy vite.
“Gjendja emocionale, gjendja shëndetësore veç ka ardhë duke iu rëndu në këto dy vite.” - ka thënë avokati.
Tutje avokati ka thënë se familjarët dyshonin se Krivaqa mund të mos dënohej me burgim të përjetshëm, duke e krahasuar me rastet e tjera të vrasjeve të grave.
“Një ngushëllim sado i vogël se drejtësia shkon në vend. Kur i kanë parë disa nga provat, ata s’po mund të pajtohen me vdekjen e saj të ngadalshme dhe shumë të zorshme. S’mund ta gjejnë forcën ta tejkalojnë.” – ka deklaruar ai.
Avokati Rexhepi tutje ka deklaruar se familjarët e Marigonës kanë disa oferta për t’u zhvendosur në shtete të tjera, pasi sipas avokatit, ata po e konsiderojnë largimin, për shkak të fëmijëve më të vegjël se Marigona.
