Avokat Tomë Gashi ia 'shkatërron' vetes karrierën, publikon rrejshëm fjalë të ambasadorit amerikan - NACIONALE

Avokat Tomë Gashi ia 'shkatërron' vetes karrierën, publikon rrejshëm fjalë të ambasadorit amerikan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Avokati Tomë Gashi, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, në një postim të publikuar pak më herët, ka shpërndarë një “fake-news”, duke e paraqitur rrejshëm një deklaratë si të thënë nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Gashi postimit të tij i ka bashkëngjitur një mbishkrim “KUKU PER NE”.

Sidoqoftë, ajo që shkruan në fotografinë e publikuar nga ai, të cilën e paraqet si citat të ambasadorit amerikan, por që ky i fundit, kurrë realisht nuk ka deklaruar një gjë të tillë, është edhe më e rëndë se mbishkrimi që ka vendosur avokati Gashi.

“Opozita më shumë pajtohet me kërkesat që vijnë nga Beogradi, se sa me vendimet e Qeverisë. Pra, kështu na vështirësojnë edhe neve qëndrimet që i kemi ndaj qeverisë”, shkruan në postimin e publikuar nga Gashi, ku shihet edhe një fotografi e ambasadorit.

Përgjatë kohës sa Hovenier, shërben si ambasador në Kosovë, nuk ka dhënë deklarata të tilla në lidhje me opozitën, dhe kjo, vërtetohet me një kërkim të thjeshtë në “Google”.

Gashi madje, është pyetur edhe në komente për burimin e këtij postimi skandaloz, të cilit i ka dhënë një përgjigje si kjo: e ke me foto.

Avokati citon edhe Hitlerin

Por, avokati dhe analisti politik Tomë Gashi kishte bërë bujë edhe në të kaluarën me veprime dhe fjalë të tij.

Për të mbrojtur kryeministrin Kurti dhe Vetëvendosjen, ai madje nuk kishte ngurruar të vendoste citatin e diktatorit nazist Adolf Hitler në profilin e tij.

Krejt këtë, avokati e kishte bërë në tendencë për të sulmuar delegacionin e Kosovës i cili kishte shkuar në Washington, më konkretisht në Shtëpinë e Bardhë, dhe nën ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm, Donald Trump, kishte nënshkruar marrëveshje me Serbinë.

“Ujmanin e ndan, Serbia në Adriatik! Pushtimi brina nuk ka”, kishte shkruar Gashi.

Përkrahës i VV-së, pozon me qeveritarët

Jo më larg se një javë para se të bënte postimin skandaloz të kësaj nate, Gashi u takua me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Me këtë të fundit, Gashi tha se kanë biseduar “tema serioze”.

“Me Glaukun. Me Kryetarin e Kuvendit të Republikes , tema serioze në ketë kohë serioze!”, shkroi Gashi në postimin e tij.

Para një muaji, Gashi siç duket e takoi edhe kryeministrin Albin Kurti, të cilin, në bazë të deklaratave që vetë avokati i jep, e përkrah jashtëzakonisht shumë.

“Kryeministri më i mirë”, e quante Gashi, Kurtin, në postimin e tij të 9 tetorit.

Disa vargje, avokati në fjalë ia thuri kryeministrit Kurti edhe dje, duke pretenduar se edhe ata që e kritikojnë, e duan.

“Edhe ju qe e kritikoni, garant shume e doni. Te ishit si Albini shume e desheroni”, ka shkruar ai.

Në tetor, Gashi shpërndau një “selfie” edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku mes tjerash, fliste për çështjen e Vettingut.

Shqelmon lypsarët, sulmon edhe grevistët

Përveç kësaj, Gashi më herët ishte kapur nga kamera e një qytetari duke shqelmuar lëmoshën e një lypësari në qendër të Prishtinës.

Për këtë gjest, ai madje besohet se as nuk është intervistuar nga organet e rendit.

Veprimet e lartëpërmendura, që cilësohen si skandaloze, nuk janë të vetmet të Tomë Gashit. Këtij të fundit, i kishte dalë punë edhe me sindikalistët.

Një krahasim skandaloz, ia kishte bërë ai SBAShKU-t, duke iu vendosur paralele me Listën Serbe, krejt kjo, për shkak të grevës dhe kërkesave të tyre ndaj Qeverisë Kurti.

Në shkrimin e tij, Gashi pretendonte se sindikata dhe Lista Serbe, ishin koordinuar për “grevën”.

“Albini ka faj. Sa mire u marreshi vesh me keta para 14 shkurtit. Lista Serbska e Sindikata ne greve, hajde koordinim hajde”, kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme